Kosova fiton pastër ndaj Andorrës, Matoshi shënon golin e parë me Dardanët

Kosova fiton pastër ndaj Andorrës, Matoshi shënon golin e parë me Dardanët

Kosova ka shënuar fitore të pastër 3-0 ndaj Andorrës në ndeshjen miqësore të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke dominuar pothuajse në çdo aspekt të lojës.

Dardanët kontrolluan ndeshjen nga minuta e parë, krijuan raste të shumta dhe nuk e vunë në asnjë moment në diskutim fituesin e takimit. Në anën tjetër, Andorra u fokusua kryesisht në mbrojtje dhe në ndërhyrje të ashpra, duke irrituar shpesh futbollistët kosovarë.

Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të Kosovës. Goli erdhi në minutën e 41-të, kur Fisnik Asllani realizoi një gol të bukur nga goditja e dënimit. Topi fillimisht goditi shtyllën, më pas portierin kundërshtar dhe përfundoi në rrjetë për 1-0.

Edhe para golit, Kosova kishte krijuar disa raste të mira shënimi dhe rezultati mund të ishte më i thellë që në 45 minutat e para.

Në fillim të pjesës së dytë, vendasit e dyfishuan epërsinë. Albion Rrahmani fitoi vetë një penallti dhe më pas u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën e 52-të, duke realizuar për 2-0.

Kosova vazhdoi të sulmonte dhe të kërkonte golin e tretë, i cili erdhi në minutën e 78-të. Mesfushori Valmir Matoshi realizoi golin e tij të parë me fanellën e Kosovës, duke vulosur fitoren bindëse të Dardanëve.

Andorra e pati shumë të vështirë të përballonte ritmin e Kosovës dhe shpesh përdori lojë të ashpër për të ndalur aksionet e vendasve.

Në fund të takimit, mysafirët u ndëshkuan me plot nëntë kartonë të verdhë, tregues i qartë i lojës së tyre agresive gjatë gjithë ndeshjes.

Me paraqitjen e treguar, Kosova dha sinjale pozitive dhe tregoi superioritet të plotë ndaj kundërshtarit, duke e mbyllur mbrëmjen me një fitore të merituar 3-0 para tifozëve të saj.

Related Articles