Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot pasdite do të fillojë me numërimin e votave që i takojnë votimit në përfaqësitë diplomatike.
Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, në 30 përfaqësitë diplomatike, nga 27 mijë e 724 votues të regjistruar, kanë votuar 82.46 përqind apo 22 mijë e 860 votues.
Sa i përket numrit real të votuesve që morën pjesë në votim, përfaqësitë diplomatike në Gjermani dominuan dukshëm procesin.
Numrin më të madh të votuesve e regjistroi Konsullata e Kosovës në Dyseldorf, ku votuan 2 mijë e 977 qytetarë, duke qenë qendra me pjesëmarrjen më të madhe në diasporë. Pas saj renditen Konsullata në Mynih me 2 mijë e 222 votues dhe Konsullata në Shtutgart me 2 mijë e 200 votues.

Ndër qendrat e tjera me pjesëmarrje të lartë janë Ambasada/Konsullata në Cyrih me 1 mijë e 758 votues, Frankfurti me 1 mijë e 590 votues, Gjeneva me 1 mijë e 291 votues, Berna me 1 mijë e 270 votues dhe Londra me 1 mijë e 211 votues.
Këto të dhëna tregojnë se qendrat diplomatike në Gjermani dhe Zvicër mbeten pikat kryesore të votimit të diasporës kosovare, duke përqendruar pjesën dërrmuese të votuesve që morën pjesë në procesin zgjedhor jashtë vendit.
