Komanda e Përbashkët Ushtarake e Iranit ka paralajmëruar se çdo anije që nuk respekton korridoret detare të përcaktuara nga autoritetet iraniane në Ngushticën e Hormuzit do të përballet me një reagim të menjëhershëm ushtarak.
Në një deklaratë të transmetuar nga televizioni shtetëror, autoritetet iraniane theksuan se devijimi nga rrugët e miratuara të lundrimit ose mosrespektimi i protokolleve të vendosura nga Teherani do të konsiderohet shkelje serioze.
Paralajmërimi u bë nga komanda ushtarake Khatam al-Anbiya, vetëm një ditë pasi një anije mbeti e bllokuar në Ngushticën e Hormuzit, duke lundruar, sipas Iranit, jashtë korridoreve të miratuara.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më strategjike të transportit detar në botë, pasi përmes saj kalon një pjesë e madhe e eksporteve globale të naftës. Çdo përshkallëzim i tensioneve në këtë zonë mund të ndikojë drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe sigurinë e lundrimit.
