“Më thanë se duhej ta lija futbollin”, Nacho e rrëfen momentin tronditës kur e zbuloi se kishte diabet

“Më thanë se duhej ta lija futbollin”, Nacho e rrëfen momentin tronditës kur e zbuloi se kishte diabet

Ish-kapiteni i Real Madridit, Nacho Fernández, e ka rrëfyer një nga momentet më të vështirë të jetës së tij, kur në moshën 12-vjeçare u diagnostikua me diabet të tipit 1 dhe fillimisht iu tha se duhej të hiqte dorë nga futbolli.

“Hyra në spital të premten dhe më thanë se duhej ta lija futbollin. Kalova gjithë fundjavën i shkatërruar. Nuk më interesonte diabeti, mendja ime ishte vetëm te fakti se ëndrra ime kishte marrë fund”, tregoi Nacho për “AS”.

Megjithatë, gjithçka ndryshoi të hënën pasuese, kur u takua me endokrinologun e tij.

“Ai më pyeti: ‘Kush ta ka thënë këtë?’. Më shpjegoi se jo vetëm që mund të vazhdoja të luaja futboll, por se aktiviteti fizik ishte shumë i rëndësishëm për mua. Ishte një nga momentet më të lumtura të jetës sime”, u shpreh tutje mbrojtësi spanjoll.

Nacho e pranoi se diabeti e bëri më të disiplinuar gjatë gjithë karrierës.

“Kjo sëmundje më mësoi të jem më i përgjegjshëm. Duhej të kujdesesha shumë më tepër për ushqimin, insulinën dhe pushimin. Sot jam krenar që mund të jem shembull për fëmijët që përballen me të njëjtën sfidë. Nëse unë ia dola të luaj në nivelin më të lartë, edhe ata mund t’i realizojnë ëndrrat e tyre”, përfundoi ai. 

Related Articles