Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, para seancës konstituive tha se në takimet me Lëvizjen Vetëvendosje ka afrime, por se mospajtimi mbetet për balancën demokratike.
Ai tha se kjo balancë është e mirë për Kosovën dhe tha se arsyeja pse po shkojnë në takime është shmangia e zgjedhjeve të reja.
“Po përpiqemi vazhdimisht që t’i shmangim zgjedhjet e reja. Po përpiqemi që brenda këtyre diskutimeve, t’i përfaqësojmë bindjet tona dhe duhet ta kuptoni se bindjet s’janë të njëjta. Duhet kohë. Po përpiqemi që të gjithë ata që i përfaqësojmë ne, deputetët e Kuvendit, t’i mbajmë rreth një zgjidhje të përbashkët. Këto tri procese nuk janë të lehta. Dhe meqenëse se s’janë të lehtë dhe derisa përpiqemi e takohemi, mbesim të vetmit që duam t’i shmangim zgjedhjet e reja. Të gjithë ata që po na kritikojnë, s’e kuptojnë pse po takohemi e çfarë qëllimi kemi. Mendoj se na kërkojnë të shkojmë në zgjedhje të reja edhe njëherë e shkuarja në zgjedhje të reja është dëmi më i madh që i bëhet vendit. Është paaftësi totale e klasës politike”.
Abdixhiku tha se do t’i vazhdojnë takimet dhe në rast se s’dakordohen do të dalin e ta thonë këtë.
“Ka shumë afrime në shumë çështje, por ende kemi distancë në çështjen kryesore që është balanca demokratike. Sot Kuvendi duhet të konstituohet dhe s’ka arsye të mos bëhet kjo. Më pas i kemi rreth 25 ditë për Qeverinë, nëse merremi vesh më herët për të gjitha institucionet më mirë, nëse s’merremi vesh duhet të jemi transparentë dhe të sinqertë se kaq kemi mundur dhe s’mund të bëjmë më tepër”.
I pyetur nëse Presidenti duhet t’i takojë LDK’së, Abdixhiku tha se s’është çështje emrash, por e balancës së ndarjes së pushtetit.
“Qëndrimet i japim në takime. Ne kërkojmë balancë demokratike dhe kjo kërkon që LDK të jetë e përfaqësuar. Në këtë fazë, s’po flasim për emra individësh të caktuar, po flasim për balancë demokratike. Është e mirë për Kosovën që të ketë balancë demokratike, që palët të jenë të përfaqësuara dhe po ashtu që rezultati zgjedhor të respektohet në tërësi. Pra, s’duam të marrim asgjë që nuk na takon dhe s’duhet t’i lëmë askujt të marrë diçka që s’i takon. Pra, balanca demokratike është çelësi i këtyre takimeve që po i zhvillojmë”./
