ZPS-ja nuk arriti të provojë sulmin ndaj popullatës civile.
Trupi gjykues në Hagë ka rrëzuar akuzën për krime kundër njerëzimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Vendimi është bërë i ditur gjatë leximit të përmbledhjes së aktgjykimit në seancën publike të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk arriti të vërtetonte, përtej dyshimit të arsyeshëm, se ishte kryer një sulm i përhapur ose sistematik kundër një popullate civile”, tha gjykatësi Charles Smith.
Akuza për krime kundër njerëzimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit përfshinte pretendime për përndjekje, burgosje dhe ndalim të paligjshëm, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Specializuar, këto krime dyshohej se ishin kryer ndaj personave që konsideroheshin kundërshtarë, përfshirë shqiptarë të Kosovës, serbë, romë dhe persona të tjerë.
Katër ish-krerët e UÇK-së i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm gjatë procesit gjyqësor në Hagë.
