Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, një ditë pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në takim është diskutuar rreth aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, si dhe hapave që mund të ndërmerren në vijim.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti dhe Hamza e kanë vlerësuar aktgjykimin si të padrejtë dhe të rëndë, duke diskutuar edhe për pasojat e tij.
“Duke e vlerësuar aktgjykimin të padrejtë, të rëndë dhe me pasoja të gjera, kryeministri Kurti theksoi se ai duhet ndryshuar pozitivisht në shkallën e apelit”, thuhet në njoftim.
Gjatë takimit, Kurti dhe Hamza kanë shkëmbyer mendime dhe përshtypje lidhur me vendimin, ndërsa kanë diskutuar për rrugët dhe mënyrat që, sipas tyre, duhet ndjekur për të korrigjuar vendimin e djeshëm.
Takimi vjen në një kohë kur në Kosovë janë shtuar reagimet institucionale dhe publike pas aktgjykimit të shkallës së parë në Hagë.
