Hamza shpjegon projektligjin e dorëzuar në Kuvend: Rastet që s’hyjnë në juridiksionin e Speciales, do të transferohen në Kosovë

Hamza shpjegon projektligjin e dorëzuar në Kuvend: Rastet që s’hyjnë në juridiksionin e Speciales, do të transferohen në Kosovë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka njoftuar se e kanë proceduar në Kuvend plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

Hamza tha se “Kosova po kalon momente të rënda” dhe se Kuvendi i Kosovës nuk mund të sillet sikur kjo çështje nuk e prek Republikën e Kosovë”.

Kryetari i PDK-së tha se nuk synojnë mbylljen e Gjykatës Speciale apo pengimin e hetimit të rasteve për të cilat është krijuar ajo, përfshirë pretendimet për trafikim organesh.

“Kjo nuk është një nismë për pandëshkueshmëri. Është një nismë për caktuar, paracaktuar se kush ka të drejtë të gjykojë çfarë”, tha ai.

Hamza tha se projektligji përcakton se “kur një rast nuk hyn në këtë juridiksion, ai transferohet në Kosovë, së bashku me dosjen, provat dhe materialin e tij”. Kështu, ai tha se “drejtësia vazhdon, por vazhdon aty ku duhet të vazhdojë”.

Ai tregoi se projektligji përfshin edhe mbikëqyrjen e punës së Speciales nga organizata ndërkombëtare.

Hamza tha se “procedurat aktuale vazhdojnë deri në vendimin e Apelit, por nëse Apeli urdhëron rigjykim, ai rigjykim nuk zhvillohet sërish para Dhomave të Specializuar”, por “transferohet në Kosovë”.

Kreu i PDK-së tha se është takuar me liderët e partive tjera politike dhe u bëri thirrje atyre partive që ta mbështesin këtë nismë.

Nisma e PDK-së vjen pasi ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan më 16 shtator në shkallën e parë të Gjykatës Speciale në Hagë.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim – të gjithë për krime lufte.

Related Articles