Pas ndarjes nga Klodi, Elijona ka reaguar për here të parë përmes një postimi në rrjetet sociale, duke kërkuar që lidhja e tyre të mos jetë më pjesë e lajmeve dhe pyetjeve.
Ajo u shpreh se vendosi të flasë publikisht për t’i dhënë fund keqkuptimeve dhe sqaroi se tashmë të dy kanë zgjedhur të vazhdojnë rrugët e tyre veçmas.
“Pasi nuk dua që lidhja ime të jetë temë e lajmeve apo e pyetjeve, por edhe për shkak të korrektësisë ndaj të gjithë atyre që na kanë mbështetur gjatë gjithë kësaj kohe, doja ta bëja publike se unë dhe Klodi tashmë nuk jemi më në lidhje”, ka shkruar ish-banorja e Big Brother Vip 4.
Ajo falënderoi ndjekësit për mbështetjen dhe dashurinë gjatë rrugëtimit të saj, ndërsa theksoi se ndarja nuk e zbeh respektin për atë që kanë përjetuar së bashku.
“Gjithmonë jam munduar të jem e përkushtuar, duke dhuruar respekt, dashuri dhe mirënjohje për secilin që më ka dhuruar support”, u shpreh ajo.
Në fund, Elijona kërkoi nga ndjekësit që të respektojnë vendimin e tyre dhe privatësinë e të dyve, duke bërë të ditur se dëshiron të vazhdojë përpara me qetësi dhe respekt.

