Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka folur para ndeshjes së rëndësishme ndaj Austrisë, duke theksuar se skuadra e tij është përgatitur mirë dhe është gati për sfidën.
Foda ka bërë të ditur se pas ndeshjes ndaj Irlandës, stafi teknik është fokusuar në rikuperimin e lojtarëve, por edhe në analizimin e kundërshtarit të radhës.
“Pas lojës me Irlandën, e kemi rigjeneruar skuadrën. E kemi analizuar Austrinë dhe i njoh lojtarët e kësaj kombëtareje. E dimë se çfarë na pret”, deklaroi Foda.
Trajneri gjerman e vlerësoi lart Austrinë, duke veçuar mënyrën agresive të lojës dhe presionin e lartë që aplikon skuadra e drejtuar nga Ralf Rangnick.
“Kjo skuadër e Austrisë luan në mënyrë agresive, me presion të lartë. Ne jemi të përgatitur dhe të motivuar për këtë ndeshje”, u shpreh ai.
Foda e pranon se Austria hyn në këtë përballje me statusin e favoritit për të përfunduar në krye të grupit, por thekson se Kosova duhet të japë maksimumin në fushë.
“Austria është favorite për ta fituar grupin. Ne duhet të prezantohemi nesër në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha përzgjedhësi i Kosovës.
Në fund, Foda foli edhe për mbështetjen që “Dardanët” pritet ta kenë nga tribunat, duke vlerësuar praninë e madhe të tifozëve kosovarë.
“Kemi shumë tifozë kosovarë në stadium. Nesër do ta bëjmë një ndeshje të mirë”, përfundoi Foda.
Kosova dhe Austria do të përballen të dielën, në një sfidë ku “Dardanët” do të kërkojnë një rezultat pozitiv përballë një prej skuadrave favorite të grupit.
