Platforma Elektronike për Çështje të Komuniteteve është bërë shërbim publik i Qeverisë së Republikës së Kosovës, pas integrimit të saj në sistemet qeveritare nga Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti, i cili ka njoftuar se platforma është zhvilluar gjatë vitit 2024 nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM), me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe Zvicrës.
Sipas Kurtit, platforma u mundëson qytetarëve nga komunitetet joshumicë të informohen për politikat dhe mundësitë që ofron Qeveria, si dhe të raportojnë rastet e diskriminimit.
Kurti tha se politikat e Qeverisë për komunitetet mbështeten në katër parime: gjithëpërfshirjen dhe solidaritetin, drejtësinë socioekonomike, revitalizimin kulturor dhe të drejtat gjuhësore, si dhe përfaqësimin demokratik.
Në deklaratën e tij, kryeministri foli edhe për zhvillimin ekonomik të vendit, duke theksuar se Bruto Produkti Vendor është rritur me 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë.
Platforma do të menaxhohet nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit. Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që ta vizitojnë dhe ta promovojnë platformën në komunitetet e tyre, me synimin që ajo të jetë sa më e dobishme për qytetarët.
