Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka ndërprerë bashkëpunimin me Aleancën Kosova e Re (AKR) në këtë komunë.
Në kuadër të këtij vendimi, nga detyra është liruar edhe Gani Rrustemi, i cili mbante pozitën e drejtorit për Ekonomi, Zhvillim, Turizëm dhe Integrime Evropiane.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i AKR-së në Mitrovicë, Gjergj Beka.
“Pas vendimit të Gjykatës në rastin Pacolli–Peci, sot Faton Peci ndërpreu bashkëpunimin me AKR-në në Mitrovicë. Si pjesë e këtij vendimi, Gani Rrustemi lirohet nga pozita e Drejtorit për Ekonomi, Zhvillim, Turizëm dhe Integrime Evropiane”, ka shkruar Beka.
Ai ka thënë se AKR-ja do të vazhdojë aktivitetin e saj në Mitrovicë, pavarësisht përfundimit të bashkëpunimit me Pecin.
“Ne si AKR nuk ndalemi. Do të vazhdojmë të punojmë dhe të kontribuojmë për çdo të mirë të Mitrovicës dhe qytetarëve të saj”, ka deklaruar Beka.
“Koalicionet mbarojnë. Përkushtimi ndaj Mitrovicës jo!”, ka përfunduar ai.
Vendimi për ndërprerjen e bashkëpunimit vjen në të njëjtën ditë kur Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar padinë e Behgjet Pacollit ndaj Faton Pecit.
Pacolli ka bërë të ditur se gjykata e ka detyruar Pecin të kompensojë dëmin jomaterial lidhur me deklaratat që ai kishte bërë ndaj tij në rrjete sociale dhe në disa emisione televizive gjatë nëntorit të vitit 2024.
