Daut Haradinaj i Aleancës ka reaguar pas shkarkimit të Blerim Isufajt nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Haradinaj tha se ky vendim është tentim për kapjen “gati të fundit” të këtij institucioni nga kryeministri Albin Kurti, duke thënë se kjo është autokraci.
Ai përmendi punën e Isufajt, duke thënë se mori vlerësime të larta nga vendet mike, ndërsa tha se ndaj tij u bë presion sot nga “politikat shoviniste” të Kurtit.
“Një vend ku Albini dëshiron ta luajë rolin e kryeministrit, gjyqtarit, kryeprokurorit dhe presidentit”.
Postimi i plotë:
Presioni ndaj kryeprokurorit Blerim Isufaj është ndërhyrje direkte në rend dhe ligj, në tentim të kapjes edhe të institucionit gati të fundit që ka mbetur pa u sterkequr nga tentakulat e Albin Kurtit.
I njëjti kryeprokuror që u vlerësua dhe vlerësohet lart nga çdo vend për punën e tij të palodhshme dhe shembullore në Prokurorinë Speciale. I njëjti njeri që arriti të ngritë aktakuza për sulmin terrorist në Banjskë e Ibër-Lepenc. I njëjti njeri që aktivisht është angazhuar në arrestimin e kriminelëve të luftës në Kosovë. Sot, këtij njeriu i bëhet presion nga politikat shoviniste të Albin Kurtit.
Kush nuk iu nënshtrua, do të largohet edhe me presion. Kjo është autokraci. Dhe e gjithë kjo po ndodh edhe mbi goditjen e madhe që mori Kosova në Hagë.
Në të njëjtën kohë, po rrezikohet të shkaktohen sërish zgjedhje dhe të vazhdojë konfuzioni te qytetarët, duke e lënë Kosovën pa president, pa kuorum të gjykatësve në Gjykatën Kushtetuese dhe pa Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale.
Një vend ku Albini dëshiron ta luajë rolin e kryeministrit, gjyqtarit, kryeprokurorit dhe presidentit.
Kjo mazhorancë nuk do rend, ligj dhe zhvillim. Kjo do kapje dhe abuzim me gjithçka që u ndërtua me gjak.
Kjo mendësi duhet të shkojë, sa nuk është bërë tepër vonë.
