Ish Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me shkarkimin e kryeprokurorit të Shtetit, Blerim Isufaj.
Haradinaj ka thënë se ky vendim, sipas tij, ngre dyshime dhe e ka cilësuar si “hakmarrje të pastër politike”.
“Po i vjen erë e keqe shkarkimit të kryeprokurorit Blerim Isufaj. Kjo erë ka kundërmuar keq në ditën kur kryeministri e sulmonte kryeprokurorin në foltoren e Parlamentit dhe mbronte të akuzuarit për korrupsion”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka deklaruar se askush nuk duhet t’i ikë drejtësisë, duke paralajmëruar përballje me ligjin për ata që, sipas tij, mbrohen përmes shkarkimeve.
“Askush nuk do të mund t’i ikë drejtësisë. Do të vijë dita që këta që mbrohen përmes shkarkimeve do të përballen me forcën e ligjit”, ka theksuar Haradinaj.
Më tej, Haradinaj e ka kritikuar vendimin duke thënë se nuk bëhet fjalë për sundim të ligjit.
“Ky nuk është sundim i ligjit, por hakmarrje e pastër politike ndaj kujtdo që guxon të mbrojë pavarësinë e institucioneve”, ka shkruar ai.
Në fund, Haradinaj ka thënë se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të ndikohet nga politika.
“Kosova nuk do të lejojë që lufta kundër korrupsionit të diktohet nga zyrat e politikës dritëshkurtër!”, ka përfunduar ai.
