Profesori universitar Bekim Sejdiu ka deklaruar se nuk është më pjesë e procesit për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, duke theksuar se nuk do të ishte e denjë që dikush të zgjidhej në këtë post vetëm për të shmangur zgjedhjet e reja.
Sejdiu, i cili në shtator ishte tërhequr nga kandidatura për president, tha se për vendimin e tij i kishte njoftuar edhe kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, të cilët më herët ishin pajtuar rreth emrit të tij.
Ai bëri të ditur se është i gatshëm t’ia dëshmojë LDK-së edhe mesazhin që ua kishte dërguar lidhur me tërheqjen e tij.
“Nuk konsideroj që është e denjë me u zgjedh president dikush që zgjedhet vetëm me i shmang zgjedhjet. President duhet të zgjedhet dikush që e meriton atë pozitë”, deklaroi Sejdiu.
Sipas tij, procesi për zgjedhjen e kreut të shtetit nuk duhet të kushtëzohet me çështje të tjera politike që janë me rëndësi për vendin.
Sejdiu tha se kishte hyrë në proces si pjesë e një dakordimi mes LDK-së dhe LVV-së dhe se do ta kishte mirëpritur mbështetjen edhe nga partitë e tjera. Megjithatë, pasi nuk ishin siguruar votat e nevojshme, ai vendosi të tërhiqej.
Ai falënderoi partitë politike, gazetarët dhe opinionin publik për vlerësimet pozitive ndaj kandidaturës së tij, por e bëri të qartë se tashmë nuk e konsideron veten pjesë të këtij procesi.
