Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të shkojë në Kuvend dhe të votojë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Përmes një reagimi publik, Çitaku ka thënë se kanë mbetur edhe pak orë, ndërsa ka kërkuar nga Kurti dhe deputetët që e mbështetën Projektligjin në lexim të parë që të rikthehen në Kuvend për votimin përfundimtar.
“Albin, eja në Kuvend. Ndali lojërat. Kosova është më e madhe dhe më e rëndësishme se kalkulimet politike ditore”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka theksuar se PDK-ja po qëndron në Kuvend dhe po pret rikthimin e deputetëve.
“Kanë mbetur edhe pak orë. Ne jemi në Kuvend. Po ju presim, ju dhe të gjithë 91 deputetët që e votuan ligjin në lexim të parë. Eja dhe votoje ligjin”, ka shkruar ajo.
Çitaku ka thënë se votimi i këtij ligji, sipas saj, nuk përbën favor ndaj PDK-së, por detyrim për mbrojtjen e UÇK-së.
“Ky nuk është një favor për PDK-në. Është detyrim dhe nder për secilin prej nesh që ta mbrojmë UÇK-në, të kaluarën tonë dhe të ardhmen tonë”, ka deklaruar ajo.
Në fund, Çitaku e ka përsëritur thirrjen drejtuar Kurtit: “Mos vono më. Eja në Kuvend. Votoje ligjin. Pa vonesë.”
Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është miratuar në lexim të parë me 91 vota për, pa vota kundër dhe pa abstenime. Votimi në lexim të dytë ka mbetur pezull mes mospajtimeve politike lidhur me procedimin e tij dhe çështjen e zgjedhjes së presidentit.
