Është identifikuar personi i dyshuar për ngjarjen e rëndë që tronditi Gjilanin, ku dy persona mbetën të vrarë dhe një tjetër u plagos.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Valon Ramushin, i cili dyshohet se ka shtënë me armë ndaj bashkëshortes së tij dhe dy vëllezërve të saj në zonën e Livoqit.
Sipas informacioneve fillestare, si pasojë e të shtënave gruaja e tij dhe njëri prej vëllezërve të saj kanë mbetur të vdekur, ndërsa vëllai tjetër është plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor.
Ngjarja dyshohet se lidhet me një ngatërresë të mëhershme, ndërsa motivi i plotë dhe dinamika e rastit ende janë duke u hetuar.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësi të shumta policore, hetuesit dhe dy prokurorë të shtetit, të cilët po koordinojnë veprimet hetimore.
Këqyrja e vendit të ngjarjes dhe mbledhja e provave po vazhdojnë, ndërsa priten detaje të tjera për rrethanat që çuan deri te vrasja e dyfishtë dhe plagosja.
Hetimet për rastin po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
