Arrestohet në Spanjë kosovari i dyshuar për grabitjen e shtëpive të futbollistëve të Barcelonës

Arrestohet në Spanjë kosovari i dyshuar për grabitjen e shtëpive të futbollistëve të Barcelonës

Policia katalanase ka arrestuar një grup kriminal, të dyshuar për një seri grabitjesh në shtëpitë e futbollistëve të Barcelonës dhe në rezidenca të tjera luksoze në Spanjë.

Sipas mediave spanjolle, në mesin e të arrestuarve është edhe një 58-vjeçar nga Kosova, i identifikuar si Arsim Blaku, i cili dyshohet të ketë pasur rol kyç në grupin kriminal.

Blaku dyshohet se ishte i përfshirë në grabitjen e shtëpisë së mbrojtësit të Barcelonës, Pau Cubarsí, në dhjetor të vitit 2025, si dhe në atë të portierit Joan García, në janar të vitit 2026.

Përveç këtyre rasteve, ai dyshohet se ka kryer edhe grabitje të tjera në rezidenca luksoze. Sipas raportimeve, policia e kishte vëzhguar atë edhe pranë shtëpisë së futbollistit Jules Koundé.

Gazeta spanjolle “La Vanguardia” raporton se hetimet morën drejtim pas informacioneve konfidenciale se një person po mburrej se kishte vjedhur ora luksoze nga futbollistët e Barcelonës dhe po kërkonte t’i shiste ato në tregun e zi.

Sipas mediave spanjolle, i dyshuari nga Kosova ishte larguar nga Spanja në vitin 2022, por ishte kthyer në nëntor të vitit 2025.

Emri i tij ishte përmendur edhe në një rast të vitit 2006, kur një tentim grabitjeje në shtëpinë e familjes Tous përfundoi me vdekjen e njërit prej personave të përfshirë në grup.

Në kuadër të operacionit janë arrestuar edhe persona të tjerë, të dyshuar se kanë ndihmuar në vëzhgimin e rezidencave, drejtimin e automjeteve dhe organizimin logjistik të grabitjeve.

Autoritetet spanjolle po vazhdojnë hetimet për të zbardhur të gjitha rastet e dyshuara dhe rolin e secilit person në grupin kriminal.

Related Articles