Kos: Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, hap serioz prapa drejt BE

Kos: Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, hap serioz prapa drejt BE

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se ndryshimet e fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të papranueshme dhe se, sipas saj, miratimi dhe zbatimi i tyre do të përbënin një hap serioz prapa në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

Përmes një postimi në platformën X, Kos ka bërë të ditur se sot ka diskutuar me kryenegociatorin Jeton Zulfaj për rrugën e integrimit të Kosovës në BE.

“Sot diskutova për rrugën e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian me kryenegociatorin Jeton Zulfaj. Pavarësisht paqëndrueshmërisë institucionale gjatë dy viteve të fundit, Kosova ka shënuar përparim në reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe në Planin e Rritjes. Ajo ka bërë gjithashtu përparim të mirë drejt përfshirjes në SEPA”, ka shkruar Kos.

Megjithatë, ajo ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj ndryshimeve të fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

“Ndryshimet e fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të papranueshme. Miratimi dhe zbatimi i tyre do të binin ndesh me zotimet e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian. Ato do të përbënin një hap serioz prapa në rrugën e Kosovës drejt BE-së”, ka theksuar ajo.

Kos ka shtuar se respektimi i sundimit të ligjit dhe i institucioneve të pavarura gjyqësore është thelbësor për hapat e ardhshëm të Kosovës drejt integrimit evropian.

“Respektimi i sundimit të ligjit dhe i institucioneve të pavarura gjyqësore është thelbësor për përgatitjen e hapave të ardhshëm të Kosovës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, ka theksuar Kos. 

Related Articles