Vdes pacientja me kancer të gjirit që mbeti katër muaj pa terapi

Vdes pacientja me kancer të gjirit që mbeti katër muaj pa terapi
Mungesa e medikamentit Palbociclib për rreth katër muaj dyshohet se është pasuar me përkeqësim të gjendjes së një pacienteje me kancer të gjirit, e cila nuk kishte mundësi ta blinte vetë barin që kushton deri në 1 mijë e 800 euro. Organizata Renesansa ka njoftuar se pacientes i ishin shfaqur metastaza të reja në tru dhe se ajo ka vdekur

Një paciente me kancer të avancuar të gjirit dhe metastaza në organe të tjera ka vdekur pasi kishte mbetur për rreth katër muaj pa terapinë Palbociclib, për shkak të mungesës së saj në Klinikën e Onkologjisë dhe pamundësisë për ta blerë vetë, thotë një organizatë për pacientët me kancer.

Palbociclibi, që përdoret në trajtimin e kancerit të avancuar të gjirit, mungoi për rreth katër muaj në Klinikën e Onkologjisë, ndonëse është pjesë e Listës Esenciale të Barnave.

Pacientët që detyrohen ta blejnë vetë këtë bar, përballen me kosto deri në 1 mijë e 800 euro.

Në reagimin e publikuar të mërkurën, organizata Renesansa ka njoftuar se pacientja nuk kishte pasur mundësi ta siguronte terapinë për shkak të çmimit të lartë. Gjatë periudhës që mbeti pa trajtim, sipas organizatës, asaj iu shfaqën metastaza të reja në tru.

“Pardje, pacientja që ishte në terapi me Palbociclib dhe ndihej mirë, por që Palbociclibi mungoi për afër katër muaj, nga pamundësia për ta siguruar për shkak të çmimit të lartë të këtij bari, mbeti katër muaj pa terapi, duke shpresuar çdo ditë se do të kishte furnizim. Por, mungesa e terapisë i solli metastaza të reja në tru. Dhe… në fund humbi jetën”, thuhet në reagimin e organizatës. “Sigurimi i barnave esenciale për pacientët onkologjikë, për të gjithë, është detyrë morale e secilit që duhet të veprojë për t’ua zgjatur jetën këtyre pacientëve, duke filluar nga QKUK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë”.

Related Articles