Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku ka shkruar në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt nga kunati i saj.
Ajo ka thënë se sot nuk na duhen fjalët, sepse sipas saj çfarë do që të themi nuk i bën drejtësi Arlindës.
“Sepse drejtësia për Arlindën do të nënkuptonte që sistemi i ngritur për ta mbrojtur të mos e kishte dështuar “shpresën e saj të fundit”, siç e quante ajo. Do të nënkuptonte që ajo të ishte sot gjallë, pranë djalit të saj. Meqë këtë nuk mund ta kthejmë më, ta kursejmë familjen e saj nga patetizmi. Dhimbjes së tyre i detyrohemi me veprime dhe përgjegjësi”, ka shkruar Çitaku.
20 orë pas vrasjes, ajo ka thënë se është e pafalshme dhe e pashpjegueshme se si ende askush nuk ka marrë përgjegjësi, qoftë edhe përmes një dorëheqjeje morale.
“Sepse, të dashur kolegë, ekziston diçka edhe më e rëndë sesa dështimi institucional: dështimi njerëzor. Kur njerëzit e veshur me përgjegjësi e pushtet, nga hallkat e para deri në instancat më të larta, nuk reagojnë ndaj thirrjeve të përsëritura për mbrojtje, ata dështojnë edhe përballë ndërgjegjes, etikës dhe detyrimit më themelor njerëzor. Sidomos kur, pas tragjedisë, distancohen nga përgjegjësia dhe e bartin atë te njëri-tjetri, njësoj siç Arlinda ua kishte shkruar sa ishte gjallë”, ka thënë Çitaku.
Ajo këtë e ka quajtur kronikë të një vdekjeje të paralajmëruar, sepse sipas saj paralajmërimet e saj kishin arritur në institucionet që duhej ta mbronin.
“Prandaj, të gjithë ju që e dini se keni pasur përgjegjësi për mbrojtjen e Arlindës dhe keni dështuar ta përmbushni atë, nga nivelet më të ulëta deri në ato më të larta: jepni dorëheqje. Ky është minimumi moral që ju takon ta bëni. Po, shteti duhet ta trajtojë seriozisht dhe me urgjencë mbrojtjen e grave dhe parandalimin e vrasjeve të tyre, me të gjitha kapacitetet që ka në dispozicion dhe me veprime konkrete. Megjithatë, hapi i parë duhet të jetë llogaridhënia dhe marrja e përgjegjësisë, që qytetarëve t’u dërgohet një mesazh i qartë se dikujt në këtë shtet i dhemb vrasja e grave. E nëse nuk ka mbetur askush që e ndien vërtet këtë përgjegjësi, atëherë, njësoj si Arlinda, edhe unë uroj që të mos mund të flini më natën!”, ka shtuar Çitaku.
