Spiunoi për BIA-n serbe për vite me radhë, merrte deri në 700 euro në muaj – Apeli ia vulos 6 vjet burgim Hysri Selimit

Spiunoi për BIA-n serbe për vite me radhë, merrte deri në 700 euro në muaj – Apeli ia vulos 6 vjet burgim Hysri Selimit

Gjykata e Apelit e Kosovës ka lënë në fuqi dënimin me gjashtë vjet burgim efektiv ndaj Hysri Selimit, i shpallur fajtor për veprën penale të spiunazhit në favor të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA).

Departamenti Special i Gjykatës së Apelit ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale dhe të mbrojtjes së Selimit, duke vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të shpallur më 15 qershor 2026.

Prokuroria Speciale kishte kërkuar ashpërsimin e dënimit, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar lirimin e Selimit nga akuza ose anulimin e aktgjykimit dhe kthimin e çështjes në rigjykim.

Megjithatë, me aktgjykimin e datës 7 tetor 2026, Apeli ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë kishte vërtetuar drejt gjendjen faktike dhe se nuk kishte shkelje procedurale që do të arsyetonin anulimin e vendimit.

Çfarë zbuloi gjykimi për bashkëpunimin me inteligjencën serbe?

Sipas gjetjeve të gjykatës, Hysri Selimi kishte bashkëpunuar me shërbimin sekret serb, BIA, duke mbledhur dhe përcjellë informacione që kishin të bënin me veprimtarinë e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vrasjet gjatë luftës dhe personat e radikalizuar.

Në mesin e informacioneve të përcjella përfshiheshin edhe të dhëna për shqiptarët që kishin marrë pjesë në luftën në Siri.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Selimi ishte rekrutuar nga inteligjenca serbe që në nëntor të vitit 2009, ndërsa bashkëpunimi kishte vazhduar deri në arrestimin e tij, më 6 maj 2025.

Për informacionet që siguronte, sipas konstatimeve gjyqësore, Selimi merrte pagesa deri në 700 euro në muaj. Ai ishte pajisur gjithashtu me telefona për të komunikuar me zyrtarët e shërbimit sekret serb.

Në dosjen e Prokurorisë përmenden edhe takimet e tij me zyrtarë të BIA-s në territorin e Serbisë, përfshirë Vranjën, Nishin dhe Bujanocin.

Një nga personat me të cilët dyshohej se kishte kontakte ishte Igor Babiq, i identifikuar në aktakuzë si drejtues për luftimin e terrorizmit në kuadër të BIA-s.

Selimi pretendonte se punonte për AKI-në, por Apeli nuk ia pranoi argumentet

Gjatë shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Apelit, më 7 tetor, Selimi kishte mohuar fajësinë, duke pretenduar se veprimet e tij ishin kryer në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Ai kishte deklaruar para trupit gjykues se kishte punuar për institucionet e Kosovës dhe se kërkonte zbardhjen e së vërtetës.

Edhe mbrojtësi i tij, avokati Ali Beka, kishte kërkuar lirimin nga akuza ose kthimin e rastit në rigjykim.

Por Gjykata e Apelit nuk i ka pranuar këto pretendime.

Sipas arsyetimit të aktgjykimit, në shkresat e lëndës nuk kishte prova që vërtetonin se Selimi ishte rekrutuar nga AKI-ja për të kryer veprimet për të cilat ishte dënuar.

Në përcaktimin e dënimit, gjykata ka marrë parasysh kohëzgjatjen e bashkëpunimit me shërbimin sekret serb, pagesat e pranuara dhe udhëtimin e tij në Siri.

Ndërkaq, si rrethanë lehtësuese është vlerësuar kontributi i tij në sqarimin e çështjes përmes deklarimeve të dhëna gjatë procedurës.

Nga arrestimi te vendimi i Apelit

Hysri Selimi ishte arrestuar më 6 maj 2025, ndërsa Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj tij më 11 shtator të po atij viti.

Më 15 qershor 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes gjyqtarit Leon Përlaska, e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me gjashtë vjet burgim.

Pas ankesave të palëve, çështja kishte kaluar në Gjykatën e Apelit, e cila tashmë ka vërtetuar dënimin e shqiptuar në shkallë të parë.

Kështu, Selimit i mbetet në fuqi dënimi prej gjashtë vjetësh burgim për spiunazh në favor të shërbimit sekret të Serbisë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Related Articles