Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se partia e tij nuk do të bëhet pjesë e, siç i quajti ai, lojërave politike përmes takimeve me kryeministrin Albin Kurti.
Haradinaj tha se Aleanca ka ngritur çështje që lidhen me energjinë, tenderët njëburimorë dhe ndërhyrjet e pretenduara në prokurori, gjyqësor dhe institucione të pavarura.
Sipas tij, AAK-ja ka kërkuar interpelancë për situatën në sektorin e energjisë dhe për atë që ai e cilësoi si abuzim me tregtinë e energjisë.
“Aleanca s’u bë pjesë e lojërave me takime me Kurtin, Aleanca ka kërkuar interpelancë për situatën me energjinë, për abuzimet me tregti me energji. Kemi ngritur zërin për tenderët njëburimorë, për ndërhyrjet në prokurori, në gjyqësor dhe në të gjitha institucionet e pavarura të vendit”, deklaroi ai në një video në Facebook.
Duke folur për sulmet ndaj Aleancës, Haradinaj deklaroi se ato nuk kanë të bëjnë me emrin e tij, por me qëndrimin e partisë përballë pushtetit.
“Sulmet që bëhen ndaj nesh nuk kanë të bëjnë me emrin dhe mbiemrin tim, por me faktin se Aleanca nuk i nënshtrohet regjimit”, u shpreh Haradinaj.
Ai shtoi se AAK-ja është treguar e kujdesshme që të mos e keqpërdorë tragjedinë e askujt dhe se, sipas tij, ka ruajtur vlerat e familjes shqiptare.
Haradinaj pretendoi se sulmet dhe shpifjet ndaj partisë së tij po përdoren nga frika se qytetarët mund të dalin në rrugë për të kundërshtuar padrejtësitë.
“Po përdorin sulme të ndryshme, shpifje të ndryshme ndaj nesh, nga frika se qytetarët një ditë do të revoltohen do të dalin në rrugë, për të gjitha këto të padrejta që po i bëhen qytetarit të vendit. Po nëse qytetarët dalin në rrugë, ne i mbështesim. Asnjëherë nuk do t’i nënshtrohemi regjimit të Kurtit”, përfundoi Haradinaj.
