Naim Murseli, i dënuari më burgim të përjetshëm në shkallë të parë për vrasjen e Liridona Ademajt, bashkë me dy të dënuarit tjerë për këtë rast, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, dolën sot para Gjykatës së Apelit për seancën e Kolegjit ku do të elaborohen ankesat ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin u shpallën fajtorë ata.
Seanca u mbyll për publikun, raporton T7.
Me aktgjykimin e 21 prillit 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi Naim Murselin dhe Granit Plavën me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, pasi u shpallën fajtorë për vrasjen e Liridona Ademajt.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i akuzuari Naim Murseli, për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore, si dhe për shkak të mllefit e dëshirës për hakmarrje, kishte bërë plan ta largonte Liridonën nga jeta e tij. Sipas aktgjykimit, pas datës 25 qershor 2022, kur ishte paguar polisa e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt, në shumën prej 3,000,000 krona suedeze, ai kishte synuar që, përveç vrasjes, të përfitonte edhe dobi financiare.
Ndryshe, raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale. Edhe në seancën e 22 shtatorit 2025, ekspertët Shpend Haxhibeqiri dhe Bujar Obërtinca, konstatuan se të akuzuarit Murseli dhe Plava nuk kanë çrregullime mendore.
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua nga Themelorja me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
VIDEO —> https://geo.dailymotion.com/player/xmgo8.html?video=xbrymo2
