PDK kërkon dorëheqjen e Gërvallës dhe Sveçlës pas vrasjes së Arlinda Zekajt

PDK kërkon dorëheqjen e Gërvallës dhe Sveçlës pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas dështimeve institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Në një konferencë për media, Kabashi-Ramaj ka kritikuar dy ministrat për mungesë të përgjegjësisë politike, duke theksuar se pranimi i dështimeve institucionale nuk mjafton pa përgjegjësi konkrete.

Ajo i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të kërkojë dorëheqjen e tyre, ndërsa në rast refuzimi, t’i shkarkojë.

“Kërkesa jonë është e qartë: dorëheqje të ministrave përgjegjës, hetim të plotë të çdo dështimi dhe veprim urgjent për mbrojtjen e jetës. Sepse Arlinda e pagoi me jetë dështimin e mbrojtjes”, deklaroi deputetja.

Kabashi-Ramaj ka theksuar se dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, nuk e përjashton ministrin Sveçla nga përgjegjësia politike për funksionimin e këtij institucioni.

Sipas saj, drejtori i Policisë ka përgjegjësinë e vet, por ministri duhet të japë llogari për politikat, kushtet dhe drejtimin institucional në fushën që udhëheq.

Si shembull të keqmenaxhimit, ajo përmendi edhe anulimin e ceremonisë së diplomimit të 300 policëve të rinj për shkak të mungesës së uniformave.

Deputetja e PDK-së ka paralajmëruar gjithashtu angazhim për zbardhjen e përgjegjësive institucionale përmes komisionit hetimor për rastin e Arlinda Zekajt.

“Arlindën nuk mund ta kthejmë. Por kemi një detyrim ndaj saj, ndaj familjes së saj dhe ndaj çdo gruaje e vajze në Republikën e Kosovës”, u shpreh ajo.

Related Articles