Psikiatri jep detaje për Adonis Demirin: Ishte rekomanduar trajtim i detyrueshëm në liri, por vendimi i gjykatës dyshohet se nuk u zbatua

Psikiatri jep detaje për Adonis Demirin: Ishte rekomanduar trajtim i detyrueshëm në liri, por vendimi i gjykatës dyshohet se nuk u zbatua

Pas tragjedisë së rëndë që tronditi fshatin Demiraj të Gjilanit, ku mbetën të vdekur një foshnjë 3-muajshe dhe babai i saj 27-vjeçar, Adonis Demiri, ka reaguar Instituti i Forenzikës së Psikiatrisë së Kosovës (IFPK) për të sqaruar historikun e trajtimit të tij mental.

Në një prononcim për RTV Dukagjini, psikiatri forenzik Shpend Haxhibeqiri ka bërë të ditur se Demiri kishte qenë lëndë e ekzaminimit në këtë institut, por jo për raste të dhunës në familje apo abuzimit.

“Tek ne nuk ka qenë për dhunë në familje, as për abuzim, por ka qenë për kanosje. Ai ka qenë në paraburgim për kanosje. Ne kemi afat vetëm dy javë që ta përfundojmë ekspertizën dhe të dorëzojmë rekomandimet tona,” ka deklaruar Haxhibeqiri.

Sipas tij, ekspertiza psikiatrike ndaj 27-vjeçarit kishte përfunduar më 12 maj 2026. Për shkak se ishte hera e parë që ai trajtohej në këtë institut dhe përpilohej një raport për të, stafi mjekësor kishte kontaktuar familjarët e tij për të krijuar një pasqyre sa më të qartë klinike.

“Para se të përfundojmë atë ekspertizë, kemi kontaktuar me babain dhe të fejuarën lidhur me gjendjen dhe sjelljen, për të pasur një pasqyrë sa më të qartë,” sqaroi psikiatri, duke shtuar se tek i ndjeri ishin vërejtur elemente pozitive të vullnetit dhe disponimit për të filluar mjekimin.

Mbi këto baza, IFPK i kishte kërkuar gjykatës kompetente që ndaj Adonis Demirit të caktohej masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, pranë Qendrës së Shëndetit Mendor në Gjilan.

Megjithatë, përkundër faktit që instituti e dorëzoi raportin brenda afatit ligjor dhe gjykata mori vendimin përkatës, zbatimi i tij në terren duket se ka dështuar.

“Ne e kemi kryer brenda afatit, e kemi dorëzuar, gjykata e ka marrë vendimin dhe për fat të keq duket se nuk është zbatuar vendimi i gjykatës,” ka përfunduar Haxhibeqiri.

Kjo dëshmi shton dyshime të reja mbi funksionimin e hallkave institucionalë të mbikëqyrjes së personave me probleme të shëndetit mendor, para se të ndodhte ngjarja makabre që çoi në vdekjen e foshnjës dhe të vetë 27-vjeçarit.

Related Articles