Vitia arsyeton mungesën e palbociclibit në Onkologji: U dyfishuan kërkesat, tenderi i parë dështoi

Vitia arsyeton mungesën e palbociclibit në Onkologji: U dyfishuan kërkesat, tenderi i parë dështoi

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka dhënë sqarime në Kuvend lidhur me mungesën e barit palbociclib në Klinikën e Onkologjisë gjatë vitit 2026, duke thënë se kjo situatë erdhi si pasojë e rritjes së kërkesave për këtë medikament dhe problemeve në procedurat e prokurimit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetes së PDK-së, Sala Jashari, gjatë interpelancës për vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur katër muaj pa terapi, Vitia tha se palbociclib ishte përfshirë për herë të parë në Listën e Barnave Esenciale në vitin 2025, transmeton lajmi.net.

Sipas ministrit, planifikimi fillestar ishte bërë për 40 pacientë, por pas përfshirjes së barit në listë, kërkesat u rritën, pasi edhe pacientët që më parë e siguronin atë privatisht filluan ta merrnin përmes Klinikës së Onkologjisë.

“Duke qenë medikamenti i sapofutur në listë, planifikimi është bërë sipas kërkesave që kanë qenë në Klinikën e Onkologjisë deri në atë kohë. Në bazë të këtij planifikimi, është bërë planifikimi për 40 pacientë”, deklaroi Vitia.

Ai bëri të ditur se kontrata e parë për furnizimin me këtë medikament ishte nënshkruar më 17 korrik 2025, ndërsa furnizimi i parë kishte arritur në barnatoren qendrore në Çekukë në mesin e gushtit të po atij viti.

Megjithatë, sipas tij, kërkesat e pacientëve u rritën ndjeshëm, duke bërë që kontrata të shpenzohej më shpejt sesa ishte paraparë.

Vitia përmendi edhe mungesën e miratimit të buxhetit dhe zhvillimet politike si faktorë që, sipas tij, ndikuan në pamundësinë e hapjes së një procedure të re tenderike në kohën e duhur.

Ai tha se kontrata ekzistuese ishte shpenzuar në masën 130 për qind brenda vetëm nëntë muajve.

“Për shkak të dyfishimit të pacientëve që kanë kërkuar këtë bar, ajo që ishte planifikuar që për një vit të shpenzohej për 100 për qind, ka rezultuar me shpenzim prej 130 për qind për vetëm nëntë muaj”, tha ministri.

Sipas tij, pas hyrjes në fuqi të ligjit të buxhetit dhe transferimit të mjeteve, Ministria e Shëndetësisë kishte nisur procedurat e reja të prokurimit.

Megjithatë, tenderi i parë kishte dështuar për shkak se nuk kishte pasur asnjë ofertues.

“Oferta e parë, fatkeqësisht, ka dështuar sepse nuk ka pasur asnjë ofertues. Menjëherë pas dështimit të ofertës së parë, është hapur tenderi përsëri me procedura tash të përshpejtuara”, deklaroi Vitia.

Ai bëri të ditur se kontrata e re ishte nënshkruar më 30 korrik 2026, ndërsa furnizimi në barnatoren qendrore kishte filluar më 18 gusht.

Ministri pranoi se gjatë vitit 2026 furnizimi me barna për nevojat e Klinikës së Onkologjisë nuk kishte qenë në nivelin e viteve paraprake, duke përmendur disa arsye për këtë situatë.

Ndër to, ai renditi mungesën e autorizimeve të marketingut për disa medikamente, vonesat në furnizim, dështimet e tenderëve për shkak të mungesës së ofertuesve, si dhe rastet kur ofertat kishin tejkaluar çmimet e parashikuara në listën zyrtare.

“Gjatë vitit 2026, furnizimi me barna për nevojat e Klinikës së Onkologjisë nuk ka qenë në nivelin e vitit 2024 dhe 2025”, tha Vitia në Kuvend.

Interpelanca ndaj ministrit të Shëndetësisë u zhvillua pas rastit të pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur për katër muaj pa terapinë e nevojshme, si dhe shqetësimeve të ngritura për mungesën e barnave onkologjike.

Related Articles