Ndonëse vazhdon të mbetet një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Spanja duket se po zbut qëndrimet dhe jep sinjale se nuk do të bëhet bllokadë për integrimin evropian të vendit.
Kryediplomati spanjoll, Jose Manuel Albares, gjatë Forumit për Zgjerim 2026 që po mbahet në Bruksel, është shprehur prerazi se Madridi zyrtar nuk do të jetë pengesë as për dialogun me Serbinë e as për afrimin e Prishtinës me familjen evropiane.
“Kemi qenë të qartë gjatë këtij viti se kurrë nuk do të jemi pengesë ndaj dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe kurrë nuk do të jemi pengesë që Kosova të afrohet me BE-në”, ka deklaruar Albares.
Për të argumentuar këtë qasje konstruktive, shefi i diplomacisë spanjolle ka kujtuar liberalizimin e vizave dhe faktin që Madridi tashmë i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës, duke u mundësuar qytetarëve kosovarë lëvizjen e lirë në Spanjë që nga janari i vitit 2024.
Megjithatë, nga Brukseli vjen edhe një tjetër realitet i hidhur. Ministri irlandez për Çështje Evropiane, Thomas Byrne – vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e Këshillit të BE-së – ka pranuar hapur se mosnjohja nga pesëshja evropiane (Spanja, Qiproja, Sllovakia, Greqia dhe Rumania) mbetet një mur i vështirë për t’u kapërcyer.
“Një numër shtetesh anëtare nuk e njohin Kosovën. Kjo është sfidë për Kosovën dhe kjo është diçka që ne nuk mund ta tejkalojmë aq lehtë”, paralajmëroi Byrne në po të njëjtin forum.
Nga ana tjetër, komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, muaj më parë në Parlamentin Evropian i kishte cilësuar si “inkurajuese” zhvillimet rreth pesë vendeve mosnjohëse, por pa dhënë detaje konkrete se çfarë po lëviz prapa dyerve të mbyllura.
Kosova e harruar në sirtarët e Brukselit dhe e paftuar në Forum
Pavarësisht deklaratave diplomatike, realiteti në terren tregon se Kosova ka mbetur në vendnumëro. Edhe pse aplikimi për anëtarësim në BE është dorëzuar qysh në dhjetor të vitit 2022, dosja e Kosovës ende nuk ka marrë dritën e gjelbër nga shtetet anëtare për t’u shqyrtuar nga Komisioni Evropian – një vendim që kërkon unanimitet të plotë.
Kështu, Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat. Këtë ngecje e ka kritikuar ashpër edhe kryeministri Albin Kurti në fillim të këtij muaji, duke thënë se pozita aktuale e vendit nuk pasqyron aspak reformat e arritura dhe se mungon vullneti politik i shteteve anëtare për t’i dhënë mandat Komisionit Evropian.
Ironikisht, teksa në Bruksel më 15 dhe 16 nëntor po diskutohet e ardhmja e zgjerimit në prani të liderëve më të lartë evropianë si Ursula von der Leyen, Antonio Costa e Alexander Stubb, Kosova u la sërish jashtë dyerve – për të dytën herë radhazi, Brukseli nuk i dërgoi fare ftesë Prishtinës për të marrë pjesë në këtë forum.
Lidhur me deklaratën e fundit të kryediplomatit spanjoll, Qeveria e Kosovës ende nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar.
