“Fara e flliqt” dhe akuzat për mashtrim, kështu u përplasën Rrahmani e Baloku në Komision

“Fara e flliqt” dhe akuzat për mashtrim, kështu u përplasën Rrahmani e Baloku në Komision

Komisioni Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt ka nisur me një debat të ashpër në mes deputetit të PDK-së, Eman Rramani dhe deputetit të VV-së, Armend Baloku.

Sebep për këtë përplasje ka qenë kërkesa e deputetit Rrahmani që eksperti i çështjes Skender Kandiq të deklarohet para deputetëve se nuk ndihet në konflikt interesi për këtë punë.

“Unë para luftës kam punuar me QPS, pas luftës kam qenë drejtor në spitalin regjional, nuk kam asnjë konflikt interesi”, ka deklaruar Kandiq.

Pas deklarimit të ekspertit, deputeti i VV-së, Armend Baloku, ka thënë se nuk ka pasur nevojë që ai të deklarohet se nuk ndihet në konflikt interesi për këtë çështje.

Kjo ka nxitur reagimin e deputetit të PDK-së, Eman Rrhamni, i cili ka thënë se partia në pushtet po tenton të ia fsheh të kaluarën politike ekspertit.

Debati i plotë
Eman Rrahmani: Le te ju tregon njerëzve që ai është anëtar i subjektit politik me të cilin bashkëqeveris ti, ka qenë kandidat dhe është figurë politike. Pra, e keni politizuar këtë komision prej ditës se parë dhe vazhdoni me e politizu. Këtu mundeni me aktru, por ka përfunduar periudha e aktrimit që ka pasur jashtë kuvendit. Këtu duhesh me kanë transparent.

Armend Baloku: Aktrim nënkupton veprim. Unë po veproj.

Eman Rrahmani: Po mashtron.

Armend Baloku: Ndoshta rrethi u juaj mashtron. Ju bëni shou. Dhe shpesh po i merrni elementet nga fusha ime. Kam përshtypjen se duhet të iu marr si mentor.

Eman Rrahmani: Rast i ranë je ti që me kanë unë mentor i yti. Kështu që, heq dorë nga mentori yt. Vazhdo puno.

Armend Baloku: Ju personalisht nuk me njihni dhe nuk keni mundësi të me njihni. Sepse nuk keni vizituar kurrë asnjë institucion kulturor në vend. Rrjedhimisht, kjo tregon se je i pakulturë.

Eman Rrahmani: Sa të ka njerëz si ju.… sa je ka në gjendje që emrin e aktivitetit ia ka vendos “fara e flliqt”. Çka me të thane tjetër?

Më pas, ka ndërhyrë kryetari i komisionit, Burim Ramadani, për ta ndërprerë këtë debat në mes të deputetit të VV-së dhe PDK-së

Dëshmitarët
Sot fillon procesi i intervistimave për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt nga Komisioni Hetimor Parlamentar.

Në mbledhjen e këtij komisioni, e cila ka filluar në orën 08:30, pritet të intervistohen zyrtarët nga komuna e Pejës. Në mesin e këtyre do të jetë edhe intervistimi i kryetarit të kësaj komune, Gazmend Muhaxheri.

Dëshmitarët të tjerë që pritet të intervistohen janë Toska Gega, menaxhere e rastit në Qendrën për Punë Sociale (QPS) në Pejë; Durim Kelmendi, udhëheqës në QPS; Shpat Morina, zyrtar i QPS-së; dhe Shpresa Lukaj, drejtuese e QPS-së në Pejë.

Komisioni Hetimor Parlamentar kryesohet nga Burim Ramadani i AAK-së, ndërsa zëvendëskryesues është Adnan Rrustemi i LVV-së.

Anëtarë të Komisionit nga LVV-ja janë Armend Baloku, Arijeta Rexhepi, Osman Musliu dhe Adelinë Tërshani; nga PDK-ja, Besa Kabashi-Ramaj dhe Eman Rrahmani; ndërsa nga LDK-ja, Doarsa Kica-Xhelili.

Komunitetet përfaqësohen nga Jovana Radosavljeviq dhe Emilija Rexhepi.

Related Articles