Vazo e njëjtë, fat i ndarë – Kosova dhe Shqipëria pozicionohen në vazon e tretë për kualifikimet e Euro 2028

Vazo e njëjtë, fat i ndarë – Kosova dhe Shqipëria pozicionohen në vazon e tretë për kualifikimet e Euro 2028

Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të pozicionohen në të njëjtën vazo për shortin e kualifikimeve të Kampionatit Evropian 2028, pasi të dyja përfaqësueset janë renditur zyrtarisht në vazon e tretë.

Ceremonia e tërheqjes së shortit do të mbahet më 6 dhjetor 2026, në Belfast të Irlandës së Veriut, duke nisur nga ora 18:00, ku do të përcaktohen grupet për 54 përfaqësueset pjesëmarrëse në këtë cikël kualifikues.

Për “Dardanët”, pozicionimi në vazon e tretë vjen pas përfundimit të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve, ku humbja kundër Irlandës ndikoi në renditjen përfundimtare, duke lënë irlandezët në vazon e dytë dhe Kosovën në të tretën.

Fakti që Kosova dhe Shqipëria ndajnë të njëjtën vazo do të thotë se ato nuk mund të përballen mes vete në fazën e grupeve, por secila prej tyre do të kërkojë biletën për në Evropian përballë kundërshtarëve të fortë nga vazot e para dhe të dyta.

Përveç dy ekipeve shqiptare, në vazon e tretë bëjnë pjesë edhe Skocia, Ukraina, Polonia, Rumania, Gjeorgjia, Izraeli, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Islanda dhe Sllovakia.

Nga ana tjetër, 54 kombëtaret do të ndahen në 12 grupe (gjashtë grupe me nga katër ekipe dhe gjashtë me nga pesë). Faza kualifikuese do të zhvillohet nga marsi deri në nëntor të vitit 2027.

Fituesit e 12 grupeve do të kualifikohen direkt, ndërsa këtë mundësi do e sigurojnë edhe tetë vendet e dyta më të mira, kurse pjesa tjetër do të vendoset përmes play-off-it në mars të vitit 2028.

”Për Kosovën dhe Shqipërinë, shorti i 6 dhjetorit do të jetë hapi i parë drejt një objektivi të madh: sigurimit të një vendi në Kampionatin Evropian 2028”, thuhet në njoftim.

Related Articles