Rikthimi i Ronaldinhos në futbollin profesionist, pas më shumë se 11 vjetësh larg fushave, nuk është pritur vetëm me entuziazëm.
Ish-futbollisti i Real Madridit, Antonio Cassano, ka kritikuar ashpër paraqitjen e brazilianit me fanellën e Ravenna, duke e cilësuar atë si një spektakël të panevojshëm.
Ronaldinho, në moshën 46-vjeçare, luajti 45 minuta në fitoren 2:0 të Ravenna ndaj Forlit, në kuadër të Serie C italiane.
Rikthimi i fituesit të Topit të Artë në vitin 2005 kishte krijuar interesim të jashtëzakonshëm, por Cassano nuk e fshehu pakënaqësinë e tij në emisionin “Viva Fútbol”, përcjell “Gazeta Express”.
“Kam respekt të madh për Ronaldinhon, si person dhe si futbollist. Për mua, ai vazhdon të jetë ndër pesë lojtarët më të mëdhenj në histori, së bashku me Messin, Maradonën, Ronaldon dhe ndoshta Pelén”, deklaroi Cassano, para se të shprehte kritikat e tij.
“Por ajo që bëri ditën tjetër ishte shumë, shumë e pakëndshme për t’u parë. Në moshën 46-vjeçare dhe në ato kushte, çfarë pritej të bënte? Nuk e kuptova. E bëri sepse ka marrëdhënie me Ciprianin, i cili është mik i tij. Dhe sepse i dhanë shumë para. Nuk e di. Për mua ishte një farsë qesharake”, u shpreh italiani.
Cassano shkoi edhe më tej, duke thënë se vetë nuk do të pranonte një rikthim të tillë as për shuma të mëdha parash.
“Nuk do ta bëja as po të më ofronin 10 milionë euro. Madje as 20 milionë. Më habiti, sepse Ronaldinho ka qenë gjithmonë modest dhe një nga më të mëdhenjtë në histori. Për mua, ajo që ndodhi ishte turp dhe një shfaqje qesharake”, përfundoi ai.
