“Mosnjohje e thellë e ligjeve”, “I bëj pyetjet ju pëlqen ose jo”, Kica-Xhelili përplasje me Balokun në Komisionin për Arlindën

“Mosnjohje e thellë e ligjeve”, “I bëj pyetjet ju pëlqen ose jo”, Kica-Xhelili përplasje me Balokun në Komisionin për Arlindën

Edhe sot në Komisionin Hetimor Parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt ku po intervistohet Albulena Mujaj-Bajraktaraj, pati përplasje mes anëtarëve.

Fillimisht, deputetja e Vetëvendosjes, Adelina Tërshani, në një pyetje të saj drejtuar Mujajt nëse nevojat për më shumë kapacitete ishin diskutuar në mënyrë joformale dhe jo përmes kërkesave zyrtare të regjistruara dhe nëse ato ishin zhvilluar si në “kafene e brenda objektit.

“Jo, takimet janë në sallën e takimeve”, u përgjigj ajo.

Pas kësaj, Tërshani reagoi duke i thënë: “Veç të lutna, a e di që nuk jam duke të sulmu, veç jam t’u t’pyet”.

Drejtoresha iu përgjigj duke i thënë se kjo pyetje tingëlloi si “tendencioze”.

“Në kafe nuk diskutohen, është salla e takimeve”, tha ajo.

Pas Tërshanit, fjalën e mori bashkëpartiaku i saj, Armend Baloku, i cili i parashtroi disa pyetje, ndaj të cilave Mujaj shpeshherë i thoshte se nuk ishte në kompetencën e drejtorisë që e udhëheq.

Këtu ndërhyri deputetja e LDK’së, Doarsa Kica-Xhelili, e cila tha se vetë deputetët e këtij komisioni duhej të njihnin ligjet para se t’i bënin pyetje.

“Unë kam pyetjet e mia, ju pëlqen ose jo”, reagoi Baloku.

Kica-Xhelili përmendi refuzimin e anëtarëve të Komisionit për t’u ftuar në raportim kryeministri.

“Si deputetë anëtarë të Komisionit do të duhej njohja e ligjeve para se të parashtronim pyetje. Kërkesa ime është që duke qenë si deputetë të zgjedhur, më së paku t’i njohim ligjet me të cilat veprojmë dhe të bëjmë pyetje në raport me gjëra që duhet t’i dimë vetë, për mua është pakëz e papranueshme. Sepse pyetja juaj nënkupton se pse duhet ministrat t’i raportojnë kryeministrit në qoftë se kryeministri nuk shkon t’i zbatojë drejtpërdrejt politikat e Ministrisë së Arsimit. Në qoftë se çështja qenka kjo, atëherë ta ftojmë edhe kryeministrin. Sepse ju thatë që për çdo politikë të nivelit komunal qenka përgjegjës kryetari, atëherë po i bie që për çdo politikë të nivelit ministror qenka përgjegjës kryeministri. Ndërkaq, ju keni thënë që nuk duhet të ftohet kryeministri. Rrjedhimisht, insistimi juaj, që duhet niveli qendror, qoftë lokal apo qendror, me ndërmarrë veprime konkrete në zbatimin e politikave është mosnjohje bazike e ligjeve në fuqi”.

Deputetja Kica tha se anëtarët e Komisionit e kanë një letër para vetes ku tregohen kompetencat që ka zyrtari të cilin e intervistojnë dhe tha se ato duhet të lexohen për të mos bërë pyetje jashtë kompetencave që ka.

“Çfarëdo pyetje bën, po të paktën me i njoftë ligjet”. Ekspertja na ka dorëzuar kompetencat që i ka një zyrtar që ne e intervistojmë dhe e sheh që ato pyetje nuk kanë kuptim. Nëse ne e degradojmë nivelin nuk kemi me nxjerrë as thelbin e dëshmisë nëse ne pyesim gjëra që nuk janë në kompetencën e personit që e kemi para vetes. Mosnjohja e thellë e ligjeve është problem i Komisionit”, tha ajo.

Derisa Tërshani po shprehte mospajtimet e saj me deputeten e LDK’së pa e ndezur mikrofonin, fjalën e mori deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, i cili i doli në mbrojtje Balokut.

‘Nuk ka nevojë deputetja të vlerësojë pyetjet e deputetit dhe as nivelin e mosnjohjes së ligjeve përkatëse”.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit Hetimor, deputeti i AAK’së, Burim Ramadani, kërkoi që pyetjet të mos përsëritën.

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Pejë në fillim të intervistimit tha se ajo është përgjegjëse për hartim të politikave sociale në nivel qendror dhe se nuk ka kompetenca për të trajtuar rastet direkt.

Ajo tha se pasi e kishte takuar Arlinda Zekajn kishte kërkuar nga Qendra për Punë Sociale që t’i jepnin udhëzimet e nevojshme asaj për të proceduar me rastin.

Ndërkaq, ajo tha se pas vrasjes së Arlindës, ajo menjëherë ka kërkuar nga QPS të dihet vendndodhja e djalit të saj. 

Related Articles