Rutte: NATO do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit polak

Rutte: NATO do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit polak

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka lëshuar një mesazh të qartë dhe të prerë se Aleanca Veri-Atlantike do të mbrojë çdo centimetër të territorit polak, pas raportimeve alarmante për shkeljen e hapësirës ajrore të Polonisë nga Rusia, shkruan Gazeta Sinjali.

Deklarata e fortë e kreut të NATO-s u bë gjatë një vizite zyrtare në Varshavë, vetëm një ditë pasi autoritetet polake njoftuan se tri objekte të dyshuara ruse – me gjasë dy raketa dhe një dron – kishin depërtuar në hapësirën ajrore të vendit.

“Mund të garantoj se NATO do të mbrojë çdo centimetër të territorit polak”, deklaroi Rutte, sipas agjencisë polake të lajmeve PAP, transmeton Reuters.

Ai nënvizoi se komandanti suprem i forcave të NATO-s në Evropë, gjenerali Alexus Grynkewich, do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative për të identifikuar kërcënimet potenciale dhe për të përshtatur kapacitetet mbrojtëse të Aleancës.

Ky incident i rëndë ka rritur ndjeshëm tensionet mes Rusisë dhe NATO-s, në një kohë kur dronët kanë shkelur vazhdimisht hapësirën ajrore të vendeve në krahun lindor të Aleancës gjatë luftës në Ukrainë.

Shkelja e fundit ndodhi të premten, pikërisht në momentin kur Polonia po zhvillonte stërvitje ushtarake me pjesëmarrjen e vendeve të “Koalicionit të Vullnetit” që mbështesin Ukrainën – një koincidencë që zyrtarët polakë e kanë cilësuar si aspak të rastësishme.

Ndërkohë, situata pritet të shqyrtohet urgjentisht të hënën në Bruksel, ku do të mblidhet Këshilli i Atlantikut të Veriut, organi kryesor vendimmarrës i NATO-s, për të diskutuar këtë provokim ajror dhe rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit përtej kufijve të Ukrainës.

Related Articles