Pas sukseseve të shumta në arenën vendore, dy boksierët nga Gjakova, Hykber dhe Salih Hajdaraj, po bëhen gati për një kapitull të ri në karrierën e tyre sportive.
Dy kushërinjtë do të debutojnë në boksin profesionist më 30 janar 2027, në Vjenë të Austrisë, ku do të përballen me kundërshtarë me prejardhje nga Ukraina.
Hykber Hajdaraj, 20-vjeçar, është kampion i shumëfishtë i Kosovës në boks, ndërsa kushëriri i tij, Salih Hajdaraj, 21-vjeçar, është dy herë kampion i Kosovës në kikboks, si dhe kampion i Kosovës në boks.
Dy sportistët rrugëtimin e tyre e kanë nisur në moshën 15-16-vjeçare, duke zhvilluar ndër vite një numër të madh ndeshjesh dhe duke shënuar suksese në garat vendore.
Ata stërviten në klubin e boksit “Sport Center” në Gjakovë, nën drejtimin e trajnerëve Leonard Hoxha dhe Lek Ramoja.
Debutimi në Vjenë përbën një moment të rëndësishëm në karrierën e dy boksierëve gjakovarë, të cilët pas sukseseve në Kosovë synojnë të dëshmohen edhe në arenën ndërkombëtare të boksit profesionist.
Më 30 janar, dy kushërinjtë do të kenë mundësinë të përfaqësojnë denjësisht Gjakovën dhe Kosovën, duke synuar një fillim të suksesshëm të karrierës së tyre profesioniste. /Gazeta Enigma/


