Prokuroria ka evidentuar komunikime shqetësuese dhe kërcënuese ndaj dëshmitares Afërdita Sylaj dhe një të miture, A.S., gjatë ekzaminimit të telefonave të sekuestruar në kuadër të hetimeve për vrasjen e Arlinda Zekaj.
Sipas arsyetimit të Prokurorisë, të siguruar nga IndeksOnline, përmbajtja e bisedave të zbuluara ngre dyshime për përpjekje të mundshme për të ushtruar ndikim mbi dëshmitarët dhe qëndrimet e tyre lidhur me rastin.
Në njërën prej bisedave, duke iu referuar të miturës A.S., vajzës së të pandehurit Albert Sylaj, përdoren shprehje fyese dhe nënçmuese ndaj viktimës Arlinda Zekaj.
Në komunikimin e siguruar thuhet: “Është qika e re, mashtrohet naj sen, ma q… nanën! Mos u bofshi ma zi se ajo”.
Prokuroria vlerëson se këto komunikime, të marra në kontekstin e përgjithshëm të rastit, dëshmojnë për ekzistimin e një klime të mundshme frikësimi dhe presioni ndaj personave që kanë njohuri për ngjarjen ose mund të kontribuojnë në zbardhjen e saj.
Veçanërisht shqetësues konsiderohet fakti se ndikimi i mundshëm nuk lidhet vetëm me dëshmitaren Afërdita Sylaj, por edhe me një të mitur, e cila për shkak të moshës dhe marrëdhënieve familjare me të pandehurit mund të jetë e cenueshme ndaj presionit.
Në kërkesën për paraburgim, Prokuroria thekson se marrëdhëniet e afërta familjare dhe bashkëjetesa ndërmjet të pandehurve dhe personave që mund të kenë njohuri për rastin përbëjnë rrethana shtesë që duhet të merren parasysh gjatë vlerësimit të rrezikut të ndikimit në dëshmitarë.
Sipas Prokurorisë, ekziston rreziku që, nëse të pandehurit lihen në liri, ata të ushtrojnë presion ndaj dëshmitarëve, me qëllim të ndryshimit të deklarimeve të tyre, tërheqjes nga dëshmia apo pengimit të paraqitjes së lirë të fakteve relevante.
Për këtë arsye, Prokuroria vlerëson se paraburgimi është masë e domosdoshme për të parandaluar ndikimin e mundshëm në dëshmitarë, për të garantuar integritetin e provave dhe për të siguruar zhvillimin e rregullt të procedurës penale.
