Një ngjarje e rëndë dhe me rrethana ende të paqarta ka ndodhur të premten në motelin “Flamingo”, në fshatin Shupkovc të Mitrovicës së Jugut. Një klient, të cilit i kishte përfunduar koha e qëndrimit në motel, është gjetur i pajetë në dyshemenë e dhomës, me fytyrë të mavijosur. Prokuroria ka nisur hetimet dhe ka kërkuar të verifikohet nëse ndonjë person tjetër ishte larguar nga dhoma, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se personi që është gjetur i vdekur është Ivica Vukasinoviq, rreth 52 vjeç.
Ngjarja është raportuar më 27 nëntor, rreth orës 14:25, nga recepsionisti i motelit, i cili kishte tentuar të kontaktonte klientin pasi atij i kishte përfunduar koha e qëndrimit.
Telefonatat kishin mbetur pa përgjigje, ndaj recepsionisti kishte shkuar te dritarja e dhomës për të parë se çfarë po ndodhte.
Aty kishte vërejtur 52-vjeçarin të shtrirë në dysheme, me fytyrë të mavijosur.
Recepsionisti kishte hapur derën e dhomës dhe kishte njoftuar menjëherë Policinë.
Në motel kanë dalë patrullat policore, hetuesit, ekspertët e kriminalistikës dhe ekipi i Emergjencës. Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e 52-vjeçarit në vendin e ngjarjes.
Sinjali mëson se Prokurori i Shtetit ka kërkuar sigurimin e pamjeve të kamerave të sigurisë që mbulojnë qarkullimin e automjeteve në motel dhe verifikimin nëse ndonjë person tjetër ishte larguar nga dhoma ku u gjet viktima.
Me udhëzim të Prokurorit, trupi i pajetë i Vukasinovicit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”, ndërsa shkaku i vdekjes ende nuk është përcaktuar.
