Kryetari i sindikatës së punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Bashkim Latifi, tha se largimi i punëtorëve i cili ka ndodhur kohë më parë, ka bërë që puna dhe problemet nga më të ndryshmet të shtohen tek Aeroporti.
Ai deklaroi se menaxhmentin e kanë paralajmëruar disa herë që të kthejnë punëtorët e larguar, pasi kjo vetëm sa do iu sjell pengesa dhe probleme në punë si mungesë e stafit.
“Po na qysh më herët menaxhmentin e kemi paralajmëruar që do ndodh kjo gjendje, pasi në Aeroport pas grevave punëdhënësi jonë ka larguar 100 punëtorë prej punës, dhe tash është një numër i vogël i stafit dhe ne me shkresa vazhdimisht e kemi paralajmëruar që do ketë tollovi të mëdha, sepse bashkatdhetarët tanë nuk kanë qenë që dy vite në Kosovë, kurse me ardhjen e tyre e kemi ditur që edhe do kthehen edhe këto probleme”, tha Latifi.
Mes tjerash Latifi thotë se faji kryesor qëndron tek menaxhmenti i Limak-ut ku edhe ka dështuar në pritjen dhe organizimin e bashkatdhetarëve.
Tutje, ai bën thirrje tek mërgimtarët për tolerancë, dhe në anën tjetër edhe tek menaxhmenti që urgjentisht të kthejë punëtorët e larguar nga puna, të cilët padrejtësisht u është mohuar kjo e drejtë.