Rimëkëmbja ekonomike nuk mund të ndodhë pa arritjen e imunizimit nga virusi COVID-19, kështu thonë njohësit e çështjeve ekonomike.
Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, në një bisedë me Ekonomia Online, ka thënë se kohëve të fundit ka rritje të qarkullimit dhe kjo sigurisht do të reflektohet në buxhetin e vendit.
“Nga bisedat me bizneset vërehet që ka rritje të qarkullimit dhe kjo sigurisht do të reflektohet në buxhetin e vendit dhe në gjendjen financiare të kompanive. Jemi në proces të rimëkëmbjes po i referohem rritjes së qarkullimeve të bizneseve këtë vit dhe rritjes së eksporteve dhe të hyrave buxhetore. Mirëpo prapë nuk mund të flasim pa e pasur një përfundim zyrtar të pandemisë. Nëse dëshirojmë ta shohim pjesën e rimëkëmbjes dhe të kemi plane afatgjata të zhvillimit këtë nuk mund ta bëjmë pa e pasur një situatë më të mirë të vaksinimit dhe kjo është apel për të gjithë ata që po hezitojnë të vaksinohen sidomos tani kur ka mundësi edhe e zgjedhjes së vaksinës dhe të mos jenë pengmarrës të zhvillimit të vendit”, tha Rukiqi.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, theksoi se kontributi i diasporës në ekonominë e vendit është i jashtëzakonshëm.
Sipas tij, vetëm nëse mund të arrihet rritje ekonomike prej 7.9%, mund të konsiderojmë rimëkëmbje të plotë ekonomike.
“Kontributi i diasporës në ekonominë e vendit është i jashtëzakonshëm jo vetëm në aspektin e remitencave që ata dërgojnë në vendin e tyre në Kosovë. Ajo çfarë mund të themi që ardhja e tyre masive që i bie që do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në ekonominë e vendit. Nëse arrijmë normën e parashikuar të qeverisë prej 7.9% për vitin 2021 besoj që në muajt e parë të vitit 2022 ne do të mund të kolaudojmë që kemi arritur rimëkëmbje të plotë ekonomike”, tha Zeka.