Për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit në të gjithë Republikën e Kosovës, kanë kërkuar certifikim 94 subjekte politike, prej të cilave 32 janë parti politike, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidat të pavarur. Të gjithë kandidatët do të dërgohen për verifikim para vendimin për certifikim.
Kështu ka bërë të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas mbylljes së afatit për dorëzimin e listave për zgjedhjet për kryetar të komunave dhe kuvende komunale.
Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar për certifikim është 4 mijë e 922.
“Gjatë periudhës dymujore, 17 qershor – 16 gusht, në Zyrën për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej të cilave 32 parti politike, 1 koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë këto subjekte politike është 4 mijë e 922 kandidatë, prej të cilëve 165 kandidatë për kryetar të komunave dhe 4 mijë e 757 për Kuvende Komunale”, ka thënë Elezi.
Me qëllim të verifikimit të kandidatëve, KQZ do t’i drejtohet institucioneve, siç janë Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mbrojtjes dhe Doganës së Kosovës.
“Komunikimi me këto institucione do të jetë i vazhdueshëm gjatë këtyre ditëve. Pra, sapo të përgatiten listat e ndonjë subjekti politik, të njëjtat do t’i dërgohen këtyre institucioneve. Sipas planit operacional të miratuar nga KQZ-ja, i gjithë ky proces i dërgimit të kërkesave në këto institucione për verifikim të kandidatëve do të përfundojë deri më 23 gusht, ndërsa pranimi i përgjigjeve nga këto institucione deri më 24 gusht. KQZ-ja do të marrë vendim për certifikimin ose jo të ndonjë subjekti apo kandidati, më së largu deri më 1 shtator”, ka thënë Elezi.
Në rast të mos certifikimit të ndonjë kandidati apo subjekti, palët mund të paraqesin ankesë në PZAP, deri më datën 6 shtator. Ndërsa afati i fundit për tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim është data 8 shtator./Gazeta Enigma/