Që nga dje ka filluar Festa e Birrës në Korçë, derisa do të vazhdojë çdo natë me performancat e artistëve të ndryshëm, deri me datë 22 gusht.
Edhe pjesëmarrja e Goran Bregoviç nuk ka më asnjë mëdyshje, duke qenë se edhe ai vet ditën e djeshme e konfirmoi një gjë të tillë.
Pavarësisht reagimit të madh nga publiku, Bashkia e Korçës në deklaratat e tyre për medie janë shprehur se ftesa e artistit nuk ka të bëjë aspak me politikën, pasi gjithçka është rreth artit.
Në një prononcim, nënkryetarja e Bashkisë së Korçës, Benila Themeli ka thënë se ardhja e Bregoviç nuk ka bërë që të shtohen masat e sigurisë.
“Për ne është situatë mëse normale. Festa do të vijojë normalisht me masat e zakonshme që kanë qenë çdo vit”, tha Benila Themeli.
Gjithashtu ajo shtoi se reagimi ka ardhur vetën nga Kosova, pasi në Korçë e Shqipëri në përgjithësi situata është e qetë.
“Reagimi publik ka qenë vetëm nga Kosova. Nuk ka patur reagim publik në Korçë dhe Shqipëri. Situata është shumë e qetë këtu. Besoj çdo gjë do të ecë paqësisht e me shumë gëzim si çdo vit”, përfundoi nënkryetarja e Bashkisë së Korçës, Benila Themeli për Reporteri.net.
Theksojmë se Goran Bregoviç do të performojë në natën finale të Festës së Birrës, ndërsa ka disa ditë që ka filluar shitja e biletave me çmim 8 euro.