Masa qeveritare për paraqitjen e detyrueshme të një çertifikate për aplikimin e të paktën një vaksine kur hyni në qendrat tregtare, bastore, kafenetë dhe në ngjarje dhe festime të ndryshme, ka përshpejtuar imunizimin.
Gjatë ditës së djeshme, Ministria e Shëndetësisë, informoi se ka një interes të shtuar për vaksinimin tek qytetarët dhe theksojnë se vaksinimi po zhvillohet pa probleme në të gjitha pikat në të gjithë vendin, ndërsa po zhvillohet vaksinimi edhe në terren.
Komisioni Evropian miratoi dje çertifikatën digjitale për COVID-19. Vendi ynë, siç informohet nga Ministria e Shëndetësisë, është i pari në rajon për të cilin çertifikatat COVID-19 do të konsiderohen ekuivalente me Certifikatën Digjitale të BE-së.
“Kjo shmang çdo kufizim udhëtimi të tillë si testime shtesë ose karantinë. Në rastet e nevojshme, siç është mbrojtja e shëndetit publik, shtetet anëtare mund të marrin masa shtesë. Falë këtij vendimi, kufizimet e udhëtimit do të hiqen për njerëzit që kanë marrë vaksina kundër COID-19 të miratuara nga BE”, thonë nga Ministria.
Ministria dje, ndër të tjera, theksoi se rekomandimet e ekspertëve në lidhje me imunizimin kundër COVID-19 përcaktohen bazuar në të dhëna dhe dëshmi të konfirmuara dhe të pranuara me origjinë nga organizatat shëndetësore përgjegjëse për monitorimin e sëmundjeve infektive siç është Qendra Evropiane dhe Amerikane për Sëmundjet Infektive (CDC dhe ECDC), nga agjencitë mjekësore rregullatore EMA dhe FDA dhe nga OBSH.
Ndryshe, që nga fillimi i pandemisë në Maqedoninë e Veriut me COVID-19 janë diagnostifikuar gjithsej 165.684 pacientë, ndërsa prej tyre 151.401 janë shëruar dhe 5.608 kanë humbur jetën. Numri i rasteve aktive është 8.675.