Njohësi i çështjeve ekonomike, Bardh Ahmeti, ka thënë se me ardhjen e Afganëve në Kosovë nuk do të ketë ndonjë kosto direkte, pasi shuma dhe akomodimi i tyre do të jetë i mbuluar nga Amerika.
Ai shton se edhe nëse vendi jonë do të mbulonte shpenzimet sipas ligjit për të huajt atëherë nuk do të kishte ndonjë vlerë të madhe financiare, raporton Gazeta Enigma.
“Nëse shkojmë tek prononcimi i qeverisë së Kosovës i bie që nuk do të ketë kosto financiare ardhja e emigrantëve nga Afganistani në Kosovë, pasi që shuma për akomodimin e tyre do të jetë e mbuluar nga shteti i Amerikës dhe përtej kësaj po ta bënte qeveria jonë mbulimin e kostos siç është e rregulluar me ligjin për të huajt, atëherë nuk do të kishte ndonjë vlerë të madhe financiare dhe as nuk do duhej të analizohej sepse kemi këtu aspektin human dhe në aspektin e partneritetit dhe miqësisë me ShBA-të”, tha Ahmeti.
“Përtej faktit që emigrantët nga Afganistani nuk do të ketë kosto direkte, ata gjithashtu sipas informatave do të qëndrojnë përkohësisht në vendin tonë, derisa të përgatitet dokumentacioni për ta dhe familjet e tyre, dhe edhe në këtë rast nuk do të ketë kosto të socializmit të tyre, të futjes në tregun e punës”, theksoi tutje ai.
Ahmeti përmend poashtu edhe ndikimin ekonomik dhe dëmin nga pandemia, duke shtuar që me ardhjen e mërgimtarëve dhe të ardhurat nga ta kemi një trend pozitiv në ekonomi.
“Vitin e fundit përtej pandemisë edhe pritjet kanë qenë që të ardhurat nga diaspora të bien, për arsye që kriza ekonomike ka qenë edhe në familjet e tyre dhe në vendet e Evropës dhe kemi parë që është thyer rekord i të ardhurave të tyre, dhe edhe këtë verë nuk ka munguar donacioni i tyre dhe ky ka qenë një impuls i madh që ka kontribuar në një trend pozitiv në ekonomi, duke cekur këtu goditjen nga pandemia”, përfundoi ai.