Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me procesin e certifikimit të subjekteve politike dhekandidatët e tyre për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit 2021, raporton Gazeta “Enigma”.
Në listën e subjekteve politike që certifikohen nga KQZ-ja nuk janë akoma subjektet politike parlamentare dhe kjo pritet të ndodhë në mbledhjen e radhës.
Ky institucion mori vendim të enjten për certifikimin e 48 subjekteve politike, prej të cilave 18 parti politike, 1 koalicion, 17 iniciativa qytetare dhe 12 kandidatë të pavarur.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar, që përfaqësojnë këto subjekte politike është rreth 550 kandidatë, prej të cilëve rreth 30 kandidatë për zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe më shumë se 500 kandidatë për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvende Komunale.
Po ashtu, KQZ-ja mori vendim për mos certifikim të dy kandidatëve të pavarur për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvende Komunale, Fatmir Hasani dhe Xhavit Murati, pasi të njëjtit nuk janë në përputhje me nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.
Sipas KQZ-së do të vazhdohet në mbledhjet e radhës me certifikimin e kandidatëve dhe subjekteve tjera politike.