Në bazë të planit operacional që ka bërë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), fushata për zgjedhjet lokale do të mbahet nga data 16 shtator deri më 15 tetor, transmeton Gazeta “Enigma”.
Por që ditët e fundit rritja e numrit të rasteve me COVID-19 ka bërë që të paralajmërohet shtrëngim i masave, por që për fushatën ende nuk ka një vendim.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se u takon institucioneve të tjera që të përcaktojnë masat mbi menaxhimin e pandemisë dhe zhvillimit të fushatës nga subjektet politike.
“Fushata zgjedhore fillon më datën 16 shtator dhe përfundon më 15 tetor. Ne jemi të vetëdijshëm për situatën në të cilën ndodhet Kosova për shkak të pandemisë, por ajo se çfarë ka bërë KQZ-ja ka qenë zbatimi i ligjit duke përcaktuar kohën se kur do të mbahet fushata e zgjedhjeve për subjektet politike. Natyrisht se u takon institucioneve të tjera të cilat merren me menaxhimin e pandemisë për të përcaktuar masat se si mund të zhvillohet fushata e subjekteve politike”.
Tutje ai thekson se tashmë KQZ-ja ka përcaktuar kohën dhe datat se kur do të mbahen aktivitetet, pasi janë në zgjedhje të rregullta dhe të gjitha procedurat janë me bazë ligjore.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përcaktuar kohën, datat se kur mbahen aktivitetet e ndryshme zgjedhore, e në mesin e tyre është përcaktuar edhe kohëzgjatja për mbajtjen e fushatës zgjedhore”.
“Ne jemi në zgjedhje të rregullta, kjo do të thotë se të gjitha aktivitetet, kohëzgjatja e tyre është e përcaktuar në ligjin për zgjedhjet lokale e në këtë drejtim edhe fushata e zgjedhjeve për subjektet politike, pra 30-ditësh është përcaktuar në këto ligje dhe krejt çfarë ka bërë KQZ-ja ka qenë përcaktimi i saktë i datës se kur fillon dhe përfundon fushata zgjedhore”.
Drejtoresha e Lëvizjes “FOL|, Mexhide Demolli-Nimani tha se tha se Kosova është në një fazë ku renditet si një nga vendet me numrin më të madh të të infektuarve, dhe në një gjendje të tillë partitë politike duhet ta shqyrtojnë më seriozisht fushatën që do bëjnë.
Madje sipas saj, ato duhet tregojnë shembull në menaxhimin me pandeminë.
“Në fazën që gjendemi aktualisht jemi një nga vendet me numrin më të madh të të infektuarve, nëse vazhdon ky trend unë mendoj që partitë politike duhet ta shqyrtojnë seriozisht punën e fushatës. Duhet të kemi parasysh se në zgjedhjet e kaluara kanë treguar shumë qartë se fushata ka shkaktuar edhe rritje të numrit të infektuarve, andaj kemi pak javë para se të fillojë dhe partitë politike duhet të jenë shembull në këtë pandemie”, tha Demolli-Nimani.
Ajo thotë se nëse procesi mësimor ka dilema se a të nis apo jo si pasojë e kësaj gjendje pandemike, atëherë nuk është e ndërgjegjshme që të mbahet fushatë zgjedhore.
Demolli-Nimani shton se me mbajtjen e fushatës do të shumëfishohej numri i rasteve.
“Mos të harrojmë faktin se jemi në prag të procesit mësimor dhe dihet se sa kanë humbur fëmijët mësim, nëse ata nuk janë të gatshëm të fillojnë më mësimin si do të dalin këta që të grumbullojnë dhe të mbajnë fushatë pa pikë ndërgjegjësimi”.
“Tash kemi një variant tjetër të COVID-it, dhe besoj që do të shumëfishohen rastet nëse vazhdon të mbahen fushatat zgjedhore”.
Sipas saj, është parë edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme se çfarë është bërë nëpër tubime dhe se sa lehtë mund të bëhet shpërndarja e virusit, duke rekomanduar që partitë politike të jenë më kreative dhe ta kenë parasysh se fushata do të zgjasë 30 ditë.
“E kemi parë kur janë ndalë tubimet nëpër ato sallat e dasmave me numër të madh të qytetarëve, atëherë ka filluar fushata tjetër nëpër shtëpitë e qytetarëve e edhe kjo ju ka shkaktuar rrezik, sepse zyrtarët e partive kanë qenë nga një odë në një tjetër dhe kështu kanë mund të shpërndajnë edhe virusin. Mendoj që duhet të jenë më kreativ në këto zgjedhje kur kemi parasysh që janë zgjedhje të rregullta dhe 30 ditë do të zgjasë kjo fushatë”.
Edhe infermieri Fitim Havolli thotë se fushata zgjedhore duhet të ndryshojë, kjo pasi nuk i duhet askujt fitorja nëse ka kaq shumë humbje të njerëzve.
“Realisht fushata duhet krejtësisht të ndryshojë formën dhe qasjen me njerëzit sepse vërtetë ky virus po merr jetë njerëzish dhe nuk e di se çfarë do ti duhej dikujt fitorja në rast se humbim shumë njerëz. Po e shihni që për çdo ditë sa njerëz po humbin betejën me COVID”, tha ai.
Havolli bën thirrje që Qeveria të marr më seriozisht këtë situatë, sepse do jetë shumë vonë pastaj.
“Bëj thirrje kësaj qeverie që të kenë parasysh dhe ta marrin më seriozisht qasjen e kësaj pune sepse dikur do të jetë shumë vonë”, theksoi tutje ai.