Bersim Abdija nga Prizreni, së bashku më gjashtë propozues të tjerë, kanë kërkuar masë të sigurisë për një sipërfaqe të pronës së tyre, e cila është shpronësuar nga Qeveria e Kosovës .
Ata pretendojnë se, një pjesë e tokës së tyre, e shpronësuar për autostradën “Ibrahim Rugova”, i është dhënë me qira një ndërmarrje private.
Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ndërkaq është mbajtur seanca dëgjimore e palëve.
Avokati i palëve, Afrim Paçarizi, tregon se, më 4 janar 2020, para së të bëhet ndërrimi i qeverisë , ish-sekretari permanent Betim Grajqica ka lidhë marrëveshje me ndërmarrjen “Real Estate Kosova”, për dhënien me qira të pronës për 20 vite.
“Grajqica i ka bërë të gjitha këto veprime, duke ditur se është në procedurë për kthimin e kësaj prone tek ish-pronarët”, tha Paçarizi .
Sipas tij, Qeveria e Kosovës këtë pronë e ka lënë jashtë rrethojave të autostradës.
Ai, në seancën dëgjimore ka kërkuar nga gjykata që të vendos masën e sigurisë për arsye të konflikteve eventuale.
“Nga kjo masë nuk pëson asnjë palë, e as pala e tretë që ka hyrë në posedim të kësaj prone”.
Ndërkaq, përfaqësuesja ligjore e Qeverisë së Kosovës, Ilire Aydogan, ka kundërshtuar propozimin për caktimin e masës së sigurisë së pronës.
“Prona është shpronësuar sipas ligjit për shpronësimin dhe udhëzimeve administrative, si dhe po ashtu, edhe palët janë kompensuar”, tha ajo.
Aydogan shtoi se, titullar i kësaj prone është Qeveria e Kosovës
“Sa i përket asaj se një pjesë ka mbetur e pashpronësuar, është e destinuar të përdoret për sistem integral të transportit dhe sheshit për pagesë, e cila do të funksionalizohet pas vendimit të Qeverisë për pagesën”, transmeton BetimipërDrejtesi.
Gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prizren, Agron Hoxhaj, në seancën dëgjimore të palëve, ka deklaruar se brenda afatit ligjor, do të vendosë për këtë çështje.
Me qëllim të ndërtimit të autostradës Vërmicë-Merdare, Qeveria e Kosovës, ka bërë shpronësimin e ngastrës kadastrale 171/1 në sipërfaqe të përgjithshme prej 810 m2, dhe pastaj edhe të tërë pjesës së mbetur nga sipërfaqja e përgjithshme prej 9260 m2 në ZK Dushanovë.
Kjo sipërfaqe është kompensuar në shumën e përgjithshme prej 338.00 euro, sipas një vlerësimi zyrtar dhe se kjo patundëshmëri tani evidentohet në emër të Qeverisë.
Sipas propozuesve për masë të sigurisë, gjendja në terren është ndryshe, pasi që edhe pas kalimit të afatit 5 vjeçar organi shpronësues nuk e ka shfrytëzuar pjesën e patundshmërisë me sipërfaqe prej 8073m2, e cila sipërfaqe ka mbetur jashtë rrethojave të autostradës në largësi prej 157 m dhe se kjo sipërfaqe nuk shfrytëzohet për qëllime të autostradës.
Ata thonë se janë të dëmtuar dhe se, për këtë arsye kërkojnë që t’ ju kthehet në posedim prona dhe se të gjithë janë të gatshëm që të kthejnë të hollat që i kanë marrë më herët.
Sipas propozimit për masën e sigurisë, ata tregojnë se Qeveria e Kosovës ka lidhur kontratë me “ Real Estate Kosova”, ku paluajtshmërinë e ka dhënë me qira dhe prona e tyre nuk po përdoret me qëllimin për të cilën është bërë shpronësimi.
“Kjo tokë përmes dhënies me qira do të përdoret për qëllime tjera”.
“Kërkojmë që Qeveria që të mos ndërmarrë asnjë veprim në këtë çështje deri në një vendim përfundimtar nga ana e gjykatës”.
“Po ashtu, kërkojmë nga Gjykata Themelore në Prizren që të caktohet masa e sigurisë në këtë paluajtshmëri që të mos tjetërsohet, ngarkohet apo ndryshohet dedikimi i sipërfaqes prej 8080m2 të ngastrës kadastrale nr.171/ZK-Dushanovë”.