Ish-konsullja e Republikës së Kosovës në New York, Teuta Sahatqija, ka thënë se Qeveria praktikante e shkarkimeve la Kosovën pa përfaqësim diplomatik.
Në një shkrim në Facebook, ajo u shpreh se nga 32 misione diplomatike të Kosovës vetëm 9 kanë Ambasador.
Sipas saj, misionet tjera udhëhiqen nga diplomat të rangut të ultë të cilët nuk kanë qasjen në korin diplomatik të Ambasadorëve e as në takime të rangut të lartë në institucione në shtete pritëse.
“Disa Ambasada kanë mbetur pa asnjë diplomat, si Ambasada në Australi, duke lënë edhe bashkatdhetarët tanë pa shërbime institucionale”, tha Sahatqija.
Po ashtu thekson se kryeqendrat më të rëndësishme botërore si dhe shtetet e regjionit nuk kanë Ambasador, duke e izoluar Kosovën në fushën e diplomacisë.
“Faktikisht Qeveria, Presidenca dhe Ministria e Punëve të Jashtme e kanë kthyer Kosovën në kohën e para pavarësisë, në kohën kur Kosova nuk ishte shtet dhe nuk kish Ministri të Punëve të Jashtme dhe nuk kish rrjet diplomatik”, tha ish-konsullja.
Tutje Sahatqija u shpreh se shkarkimi politik me procedura nënçmuese i 13 ambasadorëve, pa përgatitjen paraprake të ambasadorëve të rinj që do t’i zëvendësojnë të shkarkuarit, ka shkaktuar dëm të madh diplomatik për të cilën thekson se armiqtë e Kosovës vetëm mund të kishin ëndërruar e me dëshirë ua “heqin kapelën” institucioneve të Kosovës.
“Duke pasur parasysh valën e radhës së pandemisë, edhe po ti kishin dërguar sot emrat e rinj te shtetet pritëse, procedurat diplomatike dhe mbyllja e shteteve për shkak të pandemisë do të zgjaste akreditimin e tyre për shumë muaj duke vazhduar izolimin diplomatik të vendit. E le që ende nuk po shihet se ka ndonjë lëvizje në këtë drejtim”, deklaroi tutje.
Në fund shkroi se dështimit të madh të Qeverisë Kurti në shëndetësi iu shtua edhe një dështim i përmasave të mëdha në diplomaci.