Angazhimi i vazhdueshëm i Qeverisë së Kosovës për avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në një ushtri moderne, të pajisur mirë dhe profesionale që i kontribuon paqes në rajon dhe më gjere, u theksua në takimin që Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati me shefen për politikë të gjerë evropiane të Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Sarah Graham.
Kryeministri vlerësoi vizitën e Graham në Kosovë, që vie para vizitës së Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj në Ministrinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar. Ai e falënderoi për kontributin e Mbretërisë së Bashkuar në edukimin dhe trajnimin e oficerëve të rinj, të cilët kthehen në Kosovë me njohuri dhe motivim të lartë. Fituesit e Shpatës së Nderit të Akademisë Ushtarake Mbretërore Sandhurst (Royal Military Academy Sandhurst) janë ambasadorët më të mirë të përkushtimit dhe potencialit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kryeministri Kurti theksoi punën dhe synimin e Qeverisë për anëtarësim në programe e nisma rajonale e ndërkombëtare, si A5 dhe Partnership for Peace (Partneriteti për paqe).
Duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të Mbretërisë së Bashkuar, si aleat i shtetit tonë, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe përkrahjen që shteti britanik ia ka dhënë Kosovës. Ai theksoi përkushtimin e Qeverisë për të thelluar edhe më shumë marrëdhëniet bilaterale me Mbretërinë e Bashkuar.
Graham përsëriti përkrahjen në planin afatgjatë për Kosovën dhe shprehu përkushtimin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë. Ajo vlerësoi angazhimin institucional për të garantuar sigurinë në vend dhe stabilitetin në rajon.
U diskutua për veprimet dhe masat që institucionet e Republikës së Kosovës kanë ndërmarrë, me qëllim parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 dhe ruajtjen e shëndetit publik.
Në takimin që u zhvillua në Zyrën e Kryeministrit, ishin të pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott dhe bashkëpunëtorë të tjerë.