Më 4 dhe 5 shtator në Cyrih ishte planifikuar të mbahej festivali ‘Open-Air’ shqiptar.
Pas shumë lajmeve për dhe kundër mbajtjes së tij, në fund ka qenë Kantoni i Cyrihut i cili ka marrë vendimin për anulim.
Sipas raportimeve, anulimi bëhet për shkak të rritjes së numrit të infeksioneve me coronavirus në Zvicër.
Në këtë festival, i cili për herë të parë është mbajtur në vitin 2019, ishte planifikuar prezantimi i shumë yjeve nga Kosova dhe Shqipëria, si: Ledri Vula, Dhurata Dora, Noizy, Mozzik e Getinjo.
Ky i fundit ka bërë një reagim në rrjete sociale ku publikon një video të një koncerti të mbajtur mbrëmë në Zvicër ku thuhet të jenë 15 apo 20 mijë njerëz.
“Sonte në Zvicër, në qytetin e Bernit 15 osë 20 mijë njerëz. Faleminderit Zvicër që e ke anuluar Alba Festival. Kjo është e padrejtë, ky është racizëm ky është diskriminim”, kanë qenë fjalët e tij.
Nga evenimenti i kaluar, rreth dy vjet më parë u mblodhën mbi 10 mijë njerëz, gjersa vitin që lamë pas u anulua po ashtu nga situata e krijuar me coronavirus.