Vendimi për fillimin e vitit të ri shkollor nuk ka ndryshuar, nga 13 shtatori do të hapen dyert e institucioneve arsimore për nxënësit dhe mësimdhënësit, shkruan Gazeta Enigma.
Një gjë e tillë është konfirmuar për Gazetën “Enigma” nga zëdhënësi i Qeverisë, Faik Hoti, i cili ka deklaruar se në mbledhjen e mbajtur të martën e 7 gushtit të gjitha institucionet kanë raportuar për zhvillimet.
“Mbledhja është përfunduar, kishte raportim të institucioneve. Tani për tani, mbetet në fuqi vendimi për shkollat, ndërsa ditëve në vijim do të monitorohet ecuria e situatës epidemiologjike. Tani për tani, mbesin në fuqi masat nga vendimet e fundit të Qeverisë lidhur me COVID-19”,ka thënë Hoti.
Ndërsa, edhe kryetari I SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka bërë të ditur se kanë mbajtur një takim së bashku me drejtorët e drejtorive arsimore, me përfaqësuesit e prindërve dhe me përfsaqësuesit e SBASHK-ut.
Ai ka potencuar se SBASHK-u edhe njëherë ka treguar se mësimdhënësit e Kosovës edhe para 1 shtatorit kanë shprehur gatishmërinë për të filluar vitin e ri shkollor.
Jashari ka thënë se edhe kryetari i Asociacionit të Drejtorive të Arsimit është deklaruar se edhe drejtoritë dhe komunat janë të përgatitura për të filluar një vit të ri shkollor.
“Ne jemi të gatshëm dhe të gjitha palët kanë shprehur mendimin për të filluar vitin shkollor, ndërsa fjalën e fundit për këtë çështje do ta jap minstrja, pasiqë jemi në një situatë jo të lehtë sepse virusi Delta po i prek edhe fëmijët. Por, nuk është ndonjë vendim përfundimtarë sepse këtë vendim edhe nuk mund ta sjellim pjesëmarrësit që ishin në këtë takim”, ka thënë Jasharaj.
Tutje, Jasharaj ka thënë se ajo që e brengos SBASHK-un janë dy çështje kyçe.
“Nuk është definuar çështja e kolegeve tona shtatzëna sepse vendimi aktual thotë se gratë shtatzëna liron nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht dhe do të punojnë nga shtëpia. Ndërsa, çështja tjetër është moszgjidhja për punëtorët me sëmundje të rënda”, ka deklaruar ai.
Sa përqind e mësimdhënësve janë vaksinuar deri më tani?
Zëvendësministri i MASHT-it, Dukagjin Popovci, ka thënë se 77 përqind e mësimdhënësve janë vaksinuar deri tash.
“Sa i përket vaksinimit, sipas të dhënave të komunave, pjesa më e madhe e punëtorëve të arsimit janë vaksinuar ndërsa pjesa tjetër e mbetur janë në proces të vaksinimit. Deri javën e kaluar, shkalla e vaksinimit të punëtorëve të arsimit ka qenë rreth 77 për qind”, bëjnë të ditur nga MASHTI.
Pyetur nëse do të fillojë mësimi më 13 shtator, MASHTI nuk ka dhënë përgjigje, por ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor, megjithatë bazuar në situatën epidemiologjike çdo vendim do të merret duke i respektuar rekomandimet e profesionistëve shëndetësor.
Ndërsa, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka thënë se nga informacionet e terenit kjo shifër del të jetë më e madhe.
Jashari ka thënë se shifra ka arritur rreth 90 përqind e të vaksinuarve deri më tani, ku sipas tij 100 % janë të vaksinuar me dozën e parë punëtorët e arsimit parauniversitar.
Ndryshe, nga MASHTI po ashtu është rishikuar Udhëzuesi për mësim në kohë të pandemisë, në të cilin përveç skenarëve ekzistues është shtuar edhe skenari për rikthim në shkolla ku janë paraparë detajet se si do të realizohet procesi mësimor varësisht nga situata me pandeminë. /Gazeta Enigma/.