Pas një kohe të gjatë, qendrat e vaksinimit në Kosovë kanë filluar të punojnë edhe të dielave. Qytetarët kanë mirëpritur këtë ndryshim. Sipas tyre, ky vendim i Qeverisë ka qenë shumë i nevojshme.
Në Qendrën e Vaksinimit në Prishtinë, salla “1 Tetori”, është parë një interesim për të shfrytëzuar këtë ditë për t’u vaksinuar.
Qytetari nga Vushtrria dhe njëherit punëtor i KEK-ut, Selatin Kadriaj, tha se është diçka e mirë që ka filluar edhe sot vaksinimi i popullatës.
“Unë mendoj që është proces i mirë dhe sidomos që ka fillua edhe të dielën. Unë punoj në KEK dhe bashkë me kolegët e tjerë kemi ardhur të organizuar dhe po marrim vaksinën sot”.
“Në fillim kam hezituar me marrë vaksinën por kam ardhur në përfundim që duhet me u vaksinua të gjithë, sepse është në të mirë të shëndetit”, tha tutje Kadriaj.
Edhe qytetari Halil Mehmetaj, tha se është diçka pozitive që të punohet të dielave, madje për të do ishte mirë që të punohej deri në orën 22:00.
“Shumë mirë unë e kisha vazhdu orarin deri në 22:00 deri sa është ora policore. Unë jam sot në përcjellje por që më herët i kam marrë dy dozat. Apeloj që të gjithë t’i marrin vaksinat”, tha Mehmetaj.
E edhe qytetari tjetër Idriz Gashi ka mirëpritur procesin e vaksinimit edhe të dielave, i cili tha se tashmë qytetarët nuk kanë arsye që të mos vaksinohen.
“Shumë mirë gjithçka ishte në rregull, edhe më mirë që po punohet të dielën. Tashmë nuk kanë arsye që të gjejnë për të mos u vaksinuar”.
Ai tutje tha se nuk ka pritur për termin, dhe se tërë procesi shkoj në rregull.